Aq të dashura për qiellzën tonë, por tejet të dëmshme për mirëqenien, sheqernat janë thelbësore për trupin. Ndryshe nga sa mendohet në fakt, trupi i njeriut (veçanërisht truri), ka nevojë për sheqerna për të mbijetuar dhe për të marrë energji, kështu që nuk është i saktë eleminimi i tyre krejtësisht nga dieta. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk duhet t’ua vëmë veshin sasive. Përkundrazi, këshillohet me këmbëngulje mostejkalimi i sasisë, për të mos nxitur zhvillimin e çrregullimeve dhe patologjive.
Kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë quhet hiperglicemi dhe mund të çojë në komplikime të rëndësishme siç është diabeti. Lajmi i keq është se në fazat e hershme sheqeri i lartë në gjak nuk ka simptoma të dallueshme. Për këtë arsye është e rëndësishme që nivelet e tij të monitorohen gjithmonë, të cilat duhet të jenë ndërmjet 70 dhe 100 miligramë/decilitër, me stomakun bosh. Vetëm kur regjistrohen vlera shumë të larta dhe për një kohë të gjatë, mund të shfaqen simptomat më të shpeshta të sheqerit të lartë në gjak, si tharje e gojës (dhe duhet pirë shpesh), lodhje, turbullim i shikimit, infeksione të traktit urinar dhe dhimbje koke.
Lajmi i mirë është se në shumicën e rasteve, një dietë e duhur mund të ndihmojë në uljen e sheqerit në gjak përpara se të shfaqen pasojat shqetësuese. Le të zbulojmë se cilat ushqime ndihmojnë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe cilat duhet të shmangen plotësisht në rast të sheqerit të lartë në gjak.
Ruajtja e niveleve konstante të sheqerit në gjak është thelbësore për funksionimin e duhur të funksionit të trurit. Në fakt, truri nuk është në gjendje të ruajë energji (glukozë) si pjesa tjetër e trupit, ndaj mbështetet në veprimin e dy hormoneve që rregullojnë nivelet e sheqerit në gjak, si gjatë vakteve ashtu edhe në stomak bosh: insulinës dhe glukagonit. E para siguron që sheqeri në gjak të mbetet i ulët pas vakteve të pasura me sheqerna, i dyti në vend të kësaj punon për të rivendosur nivelet e duhura të glukozës pas agjërimit. Për të shmangur çekuilibrat në këtë proces, është thelbësore të ndiqni një dietë të ulët glicemie. Prandaj është e përshtatshme të favorizohen ushqimet e pasura me fibra dhe të shmangen ushqimet industriale e të përpunuara, të cilat shpesh përmbajnë sheqerna të shtuara.
Ushqimet e rekomanduara në rast të sheqerit të lartë në gjak
Një dietë ideale për të luftuar sheqerin e lartë në gjak është e pasur me perime gjethe-jeshile si spinaqi, sallata marule, lakra, por edhe asparagusi dhe brokoli. Nuk duhet harruar të merren as fruta të freskëta të stinës (të cilat përmbajnë sheqerna natyrale), duke favorizuar mollët, dardhat, portokallet dhe luleshtrydhet, kajsitë, pjeshkët dhe mjedrat.
Një tjetër ushqim thelbësor për të mbajtur sheqerin në gjak janë drithërat që përmbajnë shumë fibra. Prandaj është e nevojshme të preferoni orizin, bukën dhe makaronat integrale, në vend të produkteve të rafinuara. Shumëllojshmëria është gjithmonë e mirëseardhur, ndaj këshillohet që në dietë të fusni edhe tërshërën, melin dhe kinoan.
Bishtajoret janë gjithashtu aleate kundër sheqerit të lartë në gjak, veçanërisht fasulet, qiqrat, dhe thjerrëzat, të cilat ndihmojnë në përthithjen e sheqernave.
Së fundi, shtimi i farave të lirit, lulediellit, kungullit, susamit dhe chias në pjata është një plus që siguron burime të shkëlqyera proteinash dhe kripërash minerale si magnezi dhe hekuri.
Ushqimet që duhen shmangur kur ke sheqer të lartë në gjak
Për të luftuar sheqerin e lartë në gjak, nuk mjafton të dini ç’të hani, por gjithashtu edhe ç’të shmangni. Kështu, nutricionistët rekomandojnë të shmangen në mënyrë kadegorike ëmbëlsirat, snack-et dhe ushqimet e pasura me yndyrë, si salçiçet, djathërat yndyrorë dhe lloje të ndryshme ushqimesh të përpunuara. Ndër karbohidratet do të ishte e këshillueshme të shmangnit ato të përpunuarat, si buka e bardhë, pica e orizi, e po ashtu t’u kushtoni vëmendje edhe sasisë së patateve. Ndërsa në kuadër të proteinave, mishi me yndyrë duhet të shmanget. Në këtë kontekst, duhet mbajtur mend edhe se pijet alkoolike, lëngjet e frutave dhe pijet industriale përmbajnë shumë sheqer. Për këtë arsye është e këshillueshme që të mos i konsumoni, në rast të sheqerit të lartë në gjak.
Së fundi, një vëmendje të madhe duhet t’u kushtoni edhe llojeve të frutave që zgjidhni të hani: bananet, rrushi dhe frutat e thata, janë më të ngarkuarat me glukozë.
Ndërkaq, edhe hidratimi është thelbësor. Të gjithë e dinë se sa e rëndësishme është të pihet të paktën 1.5 litra ujë në ditë, një gjë që duhet bërë edhe në rast të sheqerit të lartë në gjak.
Një ilaç efektiv kundër sheqerit të lartë në gjak, është edhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm, në të cilin të planifikohen të paktën tri ditë në javë ushtrime ose ecje.
Burimi/ NutriDoc