Evropa ka “ndoshta edhe rreth gjashtë javë karburant për avionë”. Ky është paralajmërimi i ngritur nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili në një intervistë me Associated Press, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me anulimet e mundshme të fluturimeve, nëse furnizimet me naftë do të mbeteshin të ndërprera për shkak të luftës me Iranin.
Birol e përshkroi situatën si krizën më të madhe energjetike parë ndonjëherë, me pasoja potencialisht të rëndësishme globale, duke shpjeguar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po ndikon në naftë, gaz dhe furnizime të tjera jetësore. Por Brukseli mohon: “Nuk ka indikacione për një mungesë sistematike karburanti, që mund të çojë në anulime fluturimesh në shkallë të gjerë. Ne po monitorojmë nga afër, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë”, u shpreh një zëdhënës i Komisionit të BE-së gjatë konferencës për shtyp. “Vendimet të marra nga aeroporte të caktuar janë përgjegjësi e tyre, por ne nuk shohim një mungesë sistematike e të përhapur të karburantit”, shtoi ai.
Birol parashikon një rritje të çmimeve të benzinës, gazit natyror dhe energjisë elektrike në të gjithë botën. “Është një situatë vërtet kritike dhe do të ketë pasoja të mëdha për ekonominë globale. Dhe sa më shumë të zgjasë, aq më keq do të jetë për rritjen ekonomike dhe inflacionin në të gjithë botën”, u shpreh Birol. Ndikimi do të jetë “çmime më të larta të benzinës, çmime më të larta të gazit, çmime më të larta të energjisë elektrike”, tha Birol, duke shtuar se disa pjesë të botës do të “goditen më rëndë se të tjerat”.
“Vija e parë janë vendet aziatike” që varen nga energjia e Lindjes së Mesme, tha ai, duke përmendur Japoninë, Korenë, Indinë, Kinën, Pakistanin dhe Bangladeshin. “Pastaj do të mbërrijë edhe në Evropë e Amerikë. Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet”, shtoi ai, për Evropën “mund t’ju them se së shpejti do të dëgjojmë lajmin se disa fluturime nga qyteti A në qytetin B mund të anulohen për shkak të mungesës së karburantit të avionëve”.
BE: “Sot nuk ka mungesë karburanti”: Në orët e fundit, Evropa ka komentuar gjithashtu, duke shpjeguar se “aktualisht nuk ka prova për mungesë karburanti në Bashkimin Evropian, por probleme me furnizimin mund të lindin në të ardhmen e afërt, veçanërisht në lidhje me karburantin e avionëve”, tha zëdhënësja e Energjisë e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, kur u pyet mbi masat për luftimin e çmimeve të energjisë, që ekzekutivi i BE-së pritet të paraqesë më 22 prill.
“Rafineritë e BE-së mbulojnë rreth 70% të konsumit të BE-së, ndërsa pjesa tjetër vjen nga importet”, u shpreh Itkonen, duke shtuar se “furnizimet me naftë bruto për rafineritë e BE-së kanë mbetur të qëndrueshme, pa pasur nevojë për lëshime të mëtejshme të stokut për momentin, megjithatë, situata e karburantit të avionëve mbetet shqetësimi ynë kryesor”.
Komisioni i BE-së nuk e ka përjashtuar nevojën për të nisur “një veprim të koordinuar në lidhje me karburantin e avionëve” nëse situata në Ngushticën e Hormuzit do të zgjatet. Zëdhënësi raportoi se Grupi i Koordinimit të Naftës i BE-së u takua të enjten dhe arriti në përfundimin se “aktualisht nuk ka mungesa karburanti”, por se BE-ja po “përgatitet për mungesa të mundshme të furnizimit me karburant, të cilat vazhdojnë të jenë shkak shqetësimi”. “Arsyeja”, shpjegoi zëdhënësi, “është se rafineritë tona mbulojnë afërsisht 70% të konsumit të BE-së, dhe pjesa tjetër padyshim varet nga importet”.



























