Sipas Komisionit Evropian, rregullat e App Store pengojnë zhvilluesit e tjerë të aplikacioneve që t’i drejtojnë lirisht konsumatorët në kanale alternative për oferta dhe përmbajtje të ndryshme.
Komisioni Evropian e ka informuar Apple për opinionin e tij paraprak, se rregullat e App Store po shkelin Ligjin e Tregjeve Dixhitale, duke i penguar zhvilluesit e aplikacioneve që t’i drejtojnë lirisht konsumatorët në kanalet e tjera alternative. Për më tepër, Komisioni ka hapur një procedurë të re mosdakordësie kundër Apple, lidhur me shqetësimet se kërkesat e saj të reja kontraktuale për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta dhe App Stores, duke përfshirë tarifën e re të teknologjisë bazë të Apple, nuk arrijnë të jenë në përputhjeme Ligjin e Tregjeve Dixhitale.
Sipas Ligjit për Tregjet Dixhitale, zhvilluesit që shpërndajnë aplikacionet e tyre përmes Apple App Store, duhet të jenë në gjendje, pa pagesë, të informojnë klientët e tyre për opsionet alternative më të lira të blerjes, t’i drejtojnë ata tek ofertat dhe t’i lejojnë të bëjnë blerje. Apple aktualisht ka tre grupe kushtesh biznesi, që rregullojnë marrëdhënien e saj me zhvilluesit e aplikacioneve, duke përfshirë rregullat udhëzuese të App Store.
Komisioni vëren paraprakisht se: Asnjë nga këto kushte biznesi nuk i lejon zhvilluesit të synojnë lirisht klientët e tyre. Për shembull, zhvilluesit mund të mos japin informacione për çmimet brenda aplikacionit ose të mos komunikojnë me të tjera mënyra me klientët e tyre, për të promovuar ofertat e disponueshme në kanalet alternative të shpërndarjes.
Sipas shumicës së kushteve të biznesit të disponueshëm për zhvilluesit e aplikacioneve, Apple e lejon shënjestrimin vetëm nëpërmjet “lidhjes”, që do të thotë se zhvilluesit e aplikacioneve, mund të përfshijnë në aplikacionin e tyre një lidhje që e ridrejton klientin në një faqe interneti ku klienti mund të lidhë një kontratë. Procesi i lidhjes është subjekt i disa kufizimeve të vendosura nga Apple, që i pengojnë zhvilluesit të komunikojnë, të promovojnë oferta dhe të kontraktojnë përmes kanalit të shpërndarjes që zgjedhin.
Ndërkohë që Apple merr një tarifë për lehtësimin e blerjes fillestare të një klienti të ri nga zhvilluesit përmes AppStore, tarifat e vendosura prej Apple shkojnë përtej asaj që është rreptësisht e nevojshme për një kompensim të tillë. Për shembull, Apple u ngarkon zhvilluesve një tarifë për çdo blerje të mallrave ose shërbimeve dixhitale, që bën një përdorues brenda shtatë ditëve nga lidhja jashtë aplikacionit.
Duke paraqitur rezultatet paraprake, Komisioni e informon Apple se kompania është në kundërshtim me Ligjin e Tregut Dixhital. Kjo nuk paragjykon rezultatin e hetimit, pasi Apple ka mundësinë t’i ushtrojë të drejtat e veta të mbrojtjes, duke shqyrtuar dokumentet në dosjen e hetimit të Komisionit dhe duke iu përgjigjur me shkrim gjetjeve paraprake të Komisionit.
Nëse opinionet paraprake të Komisionit konfirmohen, asnjë nga tre grupet e kushteve komerciale të Apple nuk është përputhje me Ligjin e Tregut Dixhital, i cili kërkon që “gatekeeper” t’i lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve t’i drejtojnë konsumatorët falas edhe jashtë dyqaneve të aplikacioneve, drejt ofertave të caktuara. Kështu Komisioni do të miratojë një vendim për mos zbatim ligji, brenda 12 muajve nga fillimi i procedurave më 25 mars 2024.