Nuk do t’i kisha shkruar e botuar këto radhë, nëse nuk do shpresoja që një ditë, ti, teksa lexon gjësendi online apo gërmon arkivave gjëkundi, mund t’i hasësh e të kuptosh diçka në favor të së mirës tënde. Mund të isha mjaftuar me një status në Fejsbuk, por s’e lija dot me kaq. Dhe e di pse? Se me duhet të të them sa më qartë e më shkoqur, atë që shoqëria dhe arsimi nuk po duan të ta mësojnë. Si të mbrohesh! Si të shquash e të mbrohesh nga një rrezik i përhershëm e i përbotshëm, që mund të të shfaqet aty ku më pak e pret.
Ti e dashur, mbase nuk e di që në shumicën e rasteve abuzuesi seksual është ose familjar i ngushtë, ose mik i afërt i familjes, ose ndonjë komshi në pallatin përballë a një kat më sipër, roje shkolle apo ndonjë mësues aty ku mëson. Ti nuk e di që o për ego, o për zili, shpesh do të të bëjnë presion, do të kërcënojnë dhe do të të shantazhojnë me turpin që do të të zërë ty dhe familjen tënde, nëse dynjaja merr vesh ‘horrllëqet’ e tua!
Mos ki frikë. Dije se horllëku më i madh në këtë botë, e sidomos në Shqipëri, është të mos edukosh vajzat e djemtë qysh në vegjëli, për të zezën që mund t’u vijë andej nga s’e pandehin, nga dikush që babi mund ta përqafojë e t’i flasë me dashuri, nga komshiu që hyn e del, nga mësuesi që të shkon rrëshqanthi njërën dorë mbi shpatulla, teksa ti dridhesh se e ndjen më së miri kërcënimin e asaj dashamirësie. Që prej këtij çasti e dashur, ti duhet të ngrësh zërin. Duhet t’ia ngresh zërin kujtdo që guxon të të prekë (jo vetëm në vendet intime), kujtdo që të kërcënon me foto, kujtdo që të trajton si plaçkë seksuale.
E di zemër, nuk është e lehtë.
Ti je në një periudhë që sa po njeh veten, që do të eksplorosh, që do të dish se ç’është seksualiteti. Mbase dikush që të afron më shumë, të bën të ndihesh e veçantë, ndryshe nga rutina ku ‘gjallojnë’ shoqet, por besomë zemër, ajo rutinë e shoqeve (mësime, shkollë, shtëpi), është më e mira e mundshme në këtë periudhë sa të bukur e të brishtë të jetës tënde, ku fiziku të shpërthen në lulëzim, e kapaciteti psikologjik s’ta rrok dot të ligën. Dije se nuk je e veçantë kështu zemra ime, je e abuzuar! Je duke i vënë flakën botës së bukur të vetes tënde, për ta shndërruar në hi, siç e duan mendjet perverse, që ta ngadhnjejnë me egot e liga.
Duhet të dish të mbrosh veten, dritë! Vetëm ti mund ta bësh, duke i treguar gjithcka nënës tënde, babait tënd, duke u kërkuar pambarimisht ndihmë. E nëse edhe ata ta kanë thyer besimin, rrëfeji kujt zemra jote e kupton që të do të mirën. Dhe mbrohu. Edhe nga ky i fundit. Mbrohu nga të gjithë! Vendos kufij!
Është e kotë të të them se po të gjeti gjë ty, siç po vuan tashmë pesëmbëdhjetë vjeçarja e abuzuar seksualisht nga një gjashtëdhjetë e pesë vjeçar që e përndiqte, e kërcënonte, e xhironte, e ua tregonte filmimet të tjerëve, duke e shtyrë, në emër të turpit, që ajo të lejonte të abuzonin dhe të tjerët me të, të gjithë do ngrihen në protestë! Të gjithë do shprehin indinjatën e tyre, të gjithë do shprehin keqardhjen, urrejtjen për abuzuesit, por dije zemër, se e vetmja që vuan tmerrin je ti, zemra jote, dhe prindërit e tu.
Nëse shoqëria jonë do qe vërtet e indinjuar, do kishte ndërtuar me kohë e vakt struktura që të të orientonin e të të mbronin nga epshet malinje të të liqëve të këtij soji, si në pallat, në lagje, shkollë, fshat, qytet, në vend e ngado.
Më duhet të të them edhe diçka, zemër. Duhet ta dish me se s’bën, që të kuptosh se mbi ç’baza morale e historike mbahet në këmbë kjo shoqëri, që bën sehir teksa jeta e një të miture merr rrokopujën, teksa e etiketon si të përdalë, duke u qaravitur vetëm pasi ty të ka vënë poshtë gjëma, dhe fjala ka marrë dhenë. Shqiptarët dikur i shisnin vajzat pesëmbëdhjetë vjeçare, e dashur. Po, po i shisnin. Kishte tetëdhjetë e kusur vjeçarë që i blinin me qeset me flori, se donin mish të njomë për të ngrysur pleqëritë e tyre të krimbura në para’. I shiste familja, ajo që u takste edhe nga plumb kokës në pajë, në rast tradhtie të bashkëshortit. Kjo nuk ka ndryshuar as sot e dashur. Sa më e njomë, aq më e lehtë për t’u menaxhuar, aq më kollaj për t’u bindur e mashtruar.
Se në Shqipëri e dashur, vajzat s’i kanë pasur kurrë për zemër. Aq sa, imagjino, në folklorin tonë thuhet se ‘kur lind vajzë, nxihen trarët e shtëpisë’, se ‘çupën e rrit për tjetrin’, ‘se vajza është derë e botës’. Se po ishe çapkëne, e lozonjare, në këtë vend je bishtdredhur, që meriton të telendisesh si mos më keq. Por ti mos u tremb dritë. Je më e mençur dhe më e fortë se të gjitha këto së bashku, mjafton që t’i dish e të mos ndihesh e izoluar, me frikën se e liga e kësaj shoqërie je ti.
Ti ke fatin më të madh në jetë, të jesh grua! Ta kesh mendjen, zemrën, shpirtin, plot me bukurira. Ta kesh ninëzën e syrit plot shpresë dhe mirënjohje, duart bukëvale e mendjen flori. Po e dashur, ashtu siç do kesh edhe fatkeqësinë e madhe, që shumëkush do kërkojë të t’i rrëmbejë këto, herë me karamele e herë me dhunë, herë me dashuri e herë me diplomaci, herë me forcë e herë me bekimin tënd, herë pa mendje dhe herë me dëshirën e prindërve të tu. Por nuk duhet të harrosh e dashur, që s’duhet të lejosh askënd të të përdhosë e të të fyejë, të të shesë e të të përdhunojë, të të robërojë e të të lëndojë.
Duhet të përpiqesh me çdo kusht të mbrosh veten zemër. Me çdo mjet! E di që vështrimet tallëse, ngacmuese e neveritëse mund t’i hasësh edhe nëpër radhët e policisë (fundja, i njëjti mentalitet sa mësipër i ka pjellë e rritur), por duhet të luftosh. Duhet të përpiqesh të kuptosh që ti je unike, je gjëja më e bukur në botë, je jeta e re që do shpjerë përpara botën, ndaj e liga shpesh përpiqet të të përdhosë.
Ndaj mblidhe mendjen! Të gjithë do përpiqen të të cënojnë. Edhe ata që nuk të thonë si t’i dallosh abuzuesit, si t’i denoncosh me të parën, që nuk ta mësojnë me abc-në si të jesh e zonja në këtë punë e të mbrohesh nga të paudhët.
Se pas të gjithave zemër, vjen edhe masmedia, e cila e merr fatin tënd të trishtë, i bën edhe jehonë tej e ndanë historisë, duke mos të lënë një qoshe ku të strukesh e të qash se je lodhur.
E pra zemër, kujdesu për veten. Ji syçelët! Mos i beso symbyllur as kujt të buzëqesh e duket mik i familjes, e as kujt të kërcënon me nder e për nder!
Përherë në vetmbrojte zemër. Edhe ndaj dashamirëve. Përmes kufijve. Mos lejo njeri të t’i shkelë dhe ruaje veten si gjënë më të shenjtë e mw të shtrenjtë në botë.
Është e vetmja mënyrë që t’ia dalësh, e dashur. E vetmja mënyrë që të mos abuzojnë me ty. As në shkollë, as në punë e as në jetë!
*Botuar për herë të parë në Liberale.al, vjet, nisur nga rasti kur 65 vjeçari Abaz Doku, roje shkolle, abuzonte seksualisht me një të mitur, duke e detyruar atë të kryente marrëdhënie sekuale përmes kërcënimeve.