Duket se marrëdhëniet Presidencë-Kuvend, sa vijnë edhe ashpërsohen edhe më tepër.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, 49 deputetë socialistq kanë nisur procedurat për ngritjen e një komisioni hetimor, që lidhet me shkarkimin e Ilir Metës si President i Shqipërisë.
Pas marrjes së njoftimit për këtë nismë, Meta, në përgjigjen kthyer Komisionit për Cështjet Ligjore dhe Administratën Publike, akuzon Kuvendin e Shqipërisë, se “prej më shumë se 2 vitesh po përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të presidentit, duke e cilësuar këtë nismë të deputetëve, si nismë të një Kuvendi një partiak, i cili i ndërmerr hapa të tillë për të shkëputur vëmendjen nga veprimet kriminale, kryer për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit”, duke i sugjeruar Kuvendit të zgjidhë më së pari incidentet parazgjedhore si ai i Kavajës dhe Elbasanit, ku edhe humbi jetën një njeri.
Teksa Meta nuk paraqitet përpara Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në datën e caktuar prej tyre (datë 6 maj), për shkak se vetë kishte caktuar një tjetër datë (10 maj), Komisioni për Çështjet ligjore miraton ngritjen e komisionit parlamentar, që do të hetojë veprimtarinë e Metës në shkelje me Kushtetutën e Shqipërisë, me qëllim shkarkimin e tij nga posti i Presidentit.
Në deklaratën e bërë sot nga zëdhënësi Blushi, Presidenca shprehet se që sot e tutje nuk do të njohë më asnjë vendim apo veprimtari të Kuvendit në detyrë apo të cdo institucioni tjetër, “Kukull e këtij regjimi kleptokratik”
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit, tha Blushi në deklaratën e tij. Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik. Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul. Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI. Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim. Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.