I pyetur në emisionin Opinion mbi përvetësimin në një prej spoteve elektorale, të dy prej pikave më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, siç janë anëtarësimi në Nato apo heqja e vizave, kreu i PD-së Basha tha se janë simbolike e se ka qëllim që përmes tyre t’u thotë shqiptarëve se e kanë forcën dhe munden të bëjnë gjëra të mira. Basha theksoi se popullit i duhej kthyer vëmendja tek politika, duke i larguar kështu atë mosbesim që ka ai ndaj saj.
Ju e dini, besimi tek politika ka rënë në nivele rekord. Jo vetëm kaq, por politika shihet si një e keqe e cila po përkeqëson jetën e shqiptarëve. Dhe këto 8 vite ka shumë arsye pse njerëzit mendojnë kështu. Cila është arsyeja? Sepse këto 8 vite ata që kanë qenë në krye, nuk kanë mundur të ngjallin besim se nuk kanë mbajtur asnjë premtim dhe kanë fajësuar politikën në përgjithësi, komunikimin publik, ju mediat, shoqërinë, Europën, Amerikën madje për këto dështime, dhe momenti më i rëndësishëm për ta fituar këtë betejë, është ringjallja e shkëndijës së besimit tek shqiptarët, atë besim që e fituam kur ndërtonim vepra të mëdha infrastrukturore, tunelin më të gjatë në Ballkan, atë besim kur arritëm të bëheshim anëtarë të Nato-s. Ju e dini, shumica e shqiptarëve nuk arrinin ta kuptonin seç donte të thoshte në kuptimin gjeostrategjik dhe politik anëtarësimi në Nato, por të gjithë e mbajnë mend gëzimin me të cilin e pritëm. Pse? Se qe një momënt i rikthimit të besimit tek kombi, tek vetvetja tek shoqëria. E mbani mend momentin e vizave? Unë kujtoj kur kemi nisur të flasim për vizat, nuk flas për qytetarët e thjeshtë, flas për elitën intelektuale të vendit, mbanin kokën poshtë, ishte thuajse një monolog, çfarë po na thotë ky . Pse? Kishim 20 e ca vjet që ishim mësuar me radhë të gjata, pafund përpara ambasadave dhe me një shkallë refuzimi rekord në Europë, e ndoshta edhe në botë, 60-70 e aplikimeve për viza refuzoheshin. E çfarë kërkonin këta njerëz? Të shkonin e të vizitonin një djalë apo një vajzë, të vizitonin një nip apo një mbesë, se e kishin parë vetëm në fotografi, ndaj qe e pamundur t’i bindje me fjalë se do bëhej realitet. Sot kanë kaluar 11 vjet, shqiptarët, për fat të mirë, e marrin për të mirëqenë lëvizjen e lirë.
GJatë intervistës, Basha tha edhe se e vetmja forcë që do të sillte ndryshimin qe e djathta, e se Rama, sado t’u kopjonte programin, nuk e realizonte dot.
Kush do ta sjellë ndryshimin? Një njeri që kishte 8 vjet kohë, dhe bën kllounada? Ndryshimin do ta sjell unë dhe ekipi im. Nuk ka nëse! Nuk ka shans, nuk ka probabilitet! Shqipëria e ka zgjedhur, Shqipëria do ndryshim. Vija nga lagjja jonë, ke Pazari i vjetër, dhe ndjej atë që ndjeva në Berat, Fier, Vlorë… Që Shqipëria ka nevoja të ndryshojë. Njerëzit mezi po presin të marrin hak e ta ndryshojnë këtë realitet. Ka një vullkan të nëndheshëm, i cili do sjellë një përfundim të paparashikuar nga çdo sonadazh. Rama mund të na kopjojë programin, por nuk e realizon dot.