Teksa inspekton kantieret e punës në mbarë vendin, kryeministri Rama nuk ka lënë me sa duket pas dore as pasionin e tij për gjuhën shqipe.
Në një nga statuset e shumta që lexohen në faqen e tij zyrtare në fejsbuk, syri të pikas fjalën ‘lungogjol’, e cila, në pikëpamje gjuhësore, i përket grupit të neologjizmave, pra fjalëve të reja që i shtohen njër gjuhe.
Fjala është ndërtuar me përbërje, nga dy fjalë, një huazuar nga italishtja lungo, që do të thotë i gjatë/përgjatë dhe një nga shqipja, gjol, e cila sipas fjalorit, i përket më së shumti ligjërimit bisedor. Po sipas fjalorit të shqipes, fjala gjol shënon disa kuptime, si kënetë, baltë e madhe, llucë, mes së cilave edhe liqen.
Nuk dihet nëse shqiptarët do ndihen mirë me këtë neologjizëm dhe ai nëse ai do bëhet pjesë integrale e shqipes. Ajo që dihet, është se shqipja i ka gjegjëset përkatëse, për të emërtuar gjithçka ndërtohet në një zonë liqenore.