Mos harroni! Nga sot, hyjnë në fuqi masat anti-covid për festat e fundivitit, paralajmëruar disa ditë më parë nga ministrja Manastirliu.
Në një deklaratë për mediat dhënë ditën e sotme, Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka, u ka rikujtuar edhe një herë qytetarëve masat anti-covid që ministria e Shëndetësisë ndërmori për festat e fundvitit.
Strukturat e Policisë së Shtetit tha ai, kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm, është shprehur ai. Policia e Shtetit e ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.
Në fjalën e tij, Gjovalin Loka kërkoi edhe mbështetjen e qytetarëve, të cilëve u kërkoi të respektonin masat anti-covid.
Policia e Shtetit, tha ai, nëpërmjet këtyre masave synon që festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri të mos veniten nga episode të mundshme paligjshmërie, pavarësisht se ndryshe nga çdo vit nuk do të kemi festime masive dhe në rrugë, as për natën e sotme dhe as për natën e ndërrimit të viteve, për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, pasi masat e reja kufizuese ndalojnë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve apo mbajtjen hapur të lokaleve pas orës 20:30 të mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen e qytetarëve: Në këtë kuadër, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve.
Të gjithë qytetarët duhet të festojnë në shtëpi pranë familjeve të tyre dhe të ndihmojnë Policinë, duke respektuar masat kufizues anticovid, si dhe duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital.