Ndalimi, i cili i ngjan një arresti shtëpiak, i Sali Berishës dhe arrestimi i Dhëndrrit të tij Malltezi është pa dyshim ngjarje e rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Fakti që u desh një orga nizëm pothuaj jashtë shtetëror i futur me sforco të stërmëdha dhe i paguar prej ndërkombëtarëve për t’a realizuar, edhe pse Berisha ka mbi 10 vjet që s’ka pushtet, tregon se Paria hajnore dhe oligarkike e Tiranës e cila sundon bashkë shqiptarët është kompakte dhe nuk e dëshironte këtë zhvillim. Edi Rama kur ka mundur t’i hapë letrat ka bërë të kundërtën, i ka dhënë Familjes tendera dhe i ka mbajtur kësisoj në lojë. Paria është si karrikja e cila ka nevojë për të gjitha këmbët. Nëse këputet njëra këmbë, cënohet qëndrueshmëria e sundimit të tyre, ndaj edhe Diktator Duqja i Surrelit nuk ka qenë asfare i kënaqur me veprimin e SPAK-ut përtej asaj çka mundet me thanë publikisht.
Shumë zhurmë po bëhet për thyerjen e paprekshmërisë së familjes Berisha. Në vetvete, thyerja e mitit të pathyeshmërisë është e rëndësishme, por vetëm nëse shërben realisht për të hapur portat e ndëshkimit për gjithë Parinë. Mirëpo gjasat janë që Paria të shtrëngojë edhe më shumë radhët kundër ndërkombëtarëve dhe do përpiqet t’a kalojë edhe këtë herë duke mbajtur njëri tjetrin.
Disa gjëra janë të qarta.
Së pari, çka po ju shërbehet mediatikisht njerëzve është vetëm një majucë e vogël e vjedhjes masive që kanë bërë këta.
Nëse këqyren pasuritë e funksionarëve shtetërorê nga 91shi e këtej, do dilte se këta kanë vjedhur disafish prodhimin aktual bruto (PBB) të vendit. Po të hapen letrat e familjeve Berisha, Meta dhe Rama, 5.5 milionët e Dhëndrrit janë pare xhepi. Pra, arrestimi i Dhëndrrit nuk është ende kurrkund me volumin e vjedhjeve të pushtetarëve.
Së dyti, vërehet një lloj ngazëllimi në qarqe të caktuara. Disa, kryesisht dora e vjetër, shendohen se Berishën e shohin si tradhtar të Partisë së parë. Disa të tjerë për hakmarrje ndaj persekutimit personal dhe përdorimit që ju ka bërë. Për shqiptarët do kishte vlerë nëse provohej se askush nuk mundet me qenë mbi ligjin. Ky mundet me qenë një fillim i mirë. Por jemi ende shumë larg asaj që duhet, spastrimit me rrënjë të Parisë.
Së treti, Familja Berisha problemin nuk e ka me Diktator Duqen por me SPAK-un. Mesazhi i Berishëve ndaj Ramave është se po u rrëzuam ne t’ju marrim me vete.
Saliu e di boll mirë se nga i vjen po s’mundet me jua thanë të vetëve sepse kërkon me mbajtë katundarët me shpresë. Nëse doni me e ditë kush e kontrollon SPAK-un, shihni se kush paguan rrogat. Duqja i ka lënë pa buxhet. Të ishte për Ramën i cili i ka marrë peng deri edhe vulën, Trusti i Gështenjave është opozita më e dobët që mundet me pasë dhe gogoli i duhur për me jua servirë ju. Pra, diktatura ka kohë që është vendosë dhe Saliu me foltoristët i shërbejnë mbajtjes suaj nën kontroll. Për pasojë, i duhen shumë Diktator Duqes. Ndaj këto përpëlitjet me “kushtetutë” e me “arrestim politik” janë gomarlliqe që i hanë vetëm budallenjtë.
Ideja e atyre që e mbështesin SPAK-un është se pas familjes Berisha, duhet me i ardhë radha familjes Meta, dhe mbasi të përfundojë një periudhë diplomatike (Dhjetor mendoj) edhe Duqes me familje. E kësisoj i hapet udha Lali Inceneratorit si fytyra e re e Parisë. Nëse kjo nuk ndryshon strukturat e kontrollit brenda Parisë, dhe sidomos kontrollin e shtetit, kjo mundet me qenë zgjidhje e pranueshme edhe për dorën e vjetër që kontrollon lojën. Ama, si përherë, Paria vepron nën moton “më rruve, të rruva, brisku i berberit”. Por deri atëherë shumë ujëra munden me rrjedhë.
Këta e dinë këtë, janë bashkë dhe kanë frikë Amerikën. Përballja është mes Parisë dhe SHBA-ve për kontrollin e shtetit. Ju, shqiptarët e thjeshtë as që ju llogarisin fare sepse ju mbushin me propagandë. Aq mendim të ulët ka Paria për ju, sa ju servirin rrena nga më të rëndomtat me kushtetutë të cilën e kanë bërë lavire rrugësh aq herë sa e kanë përdhunuar.
Megjithatë, ngazëllimi sektar “e hëngri edhe plaku Mere” është ajo çka dëshiron Paria. Ndonëse ka bërë shumëçka për t’a merituar këtë pleqëri të ngërdheshur që po përjeton, Sali Berisha nuk është e keqja e vetme e Shqipërisë. Shqipërinë e kanë vjedhur dhe shpërdoruar të gjithë pushtetarët e tranzicionit, dhe pa paguar çmimin të gjithë nuk mundet me pasë fillim të ri.
E vetmja mënyrë që kjo gjullurdi të jetë e vyeshme për shqiptarët është që arrestimi i Dhëndrrit të jetë vetëm hapi paraprak për një spastrim të të gjithë Parisë. Zbërthimi i krimeve të tranzicionit, proces që përfshin të gjitha palët është mënyra e vetme për të nisur monopatin e gjatë të një fillimi të ri.