
Drejtoria e Policisë Tiranë ka nisur hetimet për videot erotike të shpërnadara online, të kompozitorit Ardian Hila dhe artisteve të ndryshme. Nga sa bëhet me dije prej raportimeve në media të ndryshme, këto video kishin mbi një vit që ndodheshin të publikuara në një faqe me material pornografik dhe nuk kanë qenë të paktë ata gazetarë që kanë pohuar se ka qenë në dijeni. Ndërkaq, policia e Tiranës ka bërë me dije se ka nisur hetimet për të kuptuar se nga kanë rrjedhur ato video.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur hetimet kryesisht, pas konstatimit të publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime hetimore me qëllim identifikimin e adresave IP, dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë këto materiale, si dhe po ndërmerr procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

