
Nga Luiza Pinderi
Tregu i punës po ndryshon dhe, bashkë me të, po ndryshojnë edhe kriteret me të cilat vlerësohen profesionistët e rinj. Në një intervistë pune, pyetja “Ku ke punuar?” nuk ka më të njëjtën peshë si dikur. Gjithnjë e më shumë, vëmendja po zhvendoset te një tjetër pyetje: “Çfarë di të bësh?”. Kjo do të thotë se përfundimi i një programi studimi dhe marrja e një diplome nuk mjaftojnë më. Profesionistëve u kërkohet të zotërojnë aftësi konkrete për procese pune që deri pak vite më parë ose nuk ekzistonin, ose nuk konsideroheshin një aset i domosdoshëm.
Kjo prirje është e dukshme në të gjithë tregun e punës, por bëhet veçanërisht e rëndësishme në fusha si komunikimi dhe industria kreative. Për profesionistët e këtyre sektorëve nuk mjafton vetëm përditësimi i njohurive. Teknologjitë e reja, formatet digjitale dhe mënyrat e reja të prodhimit të përmbajtjes kërkojnë zhvillim të vazhdueshëm të aftësive dhe, në momente të caktuara, edhe një “rishpikje” të vetë profesionit për të mbetur konkurrues.

Pikërisht marrëdhënia mes universitetit dhe këtyre transformimeve të tregut ishte në qendër të HR Club 2026, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Aktiviteti është pjesë e takimeve të përvitshme që zhvillohen nga fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës dhe synon të forcojë bashkëpunimin mes universitetit, institucioneve publike dhe kompanive private.


Diskutimi u përqendrua te ndryshimi i nevojave të tregut dhe te mënyra se si programet dhe modulet e studimit mund të përshtaten për t’u dhënë studentëve dhe profesionistëve më shumë aftësi digjitale, kreative dhe praktike.

Në hapje të aktivitetit, dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, së bashku me drejtueset e departamenteve, Prof. Dr. Erika Melonashi dhe Prof. As. Dr. Tidita Abdurrahmani, vunë theksin te nevoja për një ndërveprim të vazhdueshëm mes universitetit dhe tregut të punës. “Duam të ruajmë komunikimin e vazhdueshëm me partnerët tanë të tregut në mënyrë që, së pari, të dimë se çfarë aftësish duhet t’u japim studentëve në vazhdim. Qëllimi është të bëjmë këtë lidhjen e domosdoshme me tregun e punës nga pikëpamja e përgatitjes së studentëve, jo thjesht dhënien e një diplome apo një profesioni, por edhe të aftësive konkrete që tregu kërkon”, theksoi profesore Budini.

Sipas dekanes, kjo qasje është pjesë e një iniciative qendrore të Universitetit Europian të Tiranës. Aktualisht, drejtuesit e universitetit po hartojnë planin strategjik, me synimin që institucioni të orientohet drejt programeve të reja dhe përditësimit të kurrikulave në përputhje me dinamikat e tregut të punës.
HR Club 2026 u zhvillua në partneritet me READ-AADF, AMA, Start Up Albania, DITURIUM Media Lab, ISA dhe MetropolPost.al. Në këtë mënyrë, aktiviteti shkoi përtej një diskutimi tradicional akademik, duke përfshirë ekspertizën e profesionistëve nga universitete ndërkombëtare, institucionet dhe tregu vendas i punës.
Takimi u strukturua në tre sesione, të lidhura me departamentet e fakultetit dhe sfidat specifike të fushave përkatëse.

Në sesionin e Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit, ekspertë të edukimit, medias dhe komunikimit diskutuan mbi gazetarinë, marketingun, komunikimin profesional, edukimin mediatik dhe përdorimin e teknologjisë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si ndërtohen sot produktet mediatike, nga podcast-et dhe newsletter-at te përmbajtja editoriale dhe produktet për platformat sociale.

Paneli i parë u zhvillua me fokus projektin “READ – Media Literacy Incubator: Applied Research and Practice for Digital Media”. Në të morën pjesë Elira Çanga nga Arizona State University, READ Resident Scholar; Albana Shehaj nga Harvard University, READ Diaspora Fellow; si dhe Tidita Abdurrahmani, Artur Jaupaj dhe Anjeza Xhaferaj nga UET. Diskutimi u përqendrua te qëllimi i medias në realitetin e sotëm, transformimi i saj nën ndikimin e mjeteve të reja digjitale dhe mënyra se si këto zhvillime po ndryshojnë praktikën profesionale të studentëve të komunikimit dhe gazetarëve me përvojë. Pedagoget dhe kërkueset nga universitetet amerikane sollën gjithashtu përvojën e këtyre institucioneve në përshtatjen me teknologjitë dhe integrimin e moduleve të reja që zhvillojnë aftësitë e nevojshme për produktet digjitale.

Paneli i dytë u konceptua në kuadër të projektit “AMA – DITURIUM MediaLab: Gazetari Etike, Edukim Mediatik dhe Kompetenca”. Në të morën pjesë Alida Cenaj, drejtore Kabineti në AMA; Renato Civili, ekspert dhe trajner i marketingut digjital dhe drejtor i Komunikimit & PR në Gener 2; Indrit Ymeri, copywriter në Le Spot Group dhe Alumni UET; si dhe Dritan Idrizi, Erisela Marko, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi nga UET.
Përvojat e ndryshme profesionale e orientuan diskutimin drejt mënyrave të ndryshme të komunikimit. Një profesionist i marketingut, për shembull, nuk mund të komunikojë njëlloj si një gazetar, pasi qëllimi dhe audienca përcaktojnë strategjinë që ndiqet. Një vend të rëndësishëm në debat zuri edhe etika e komunikimit, e ilustruar me shembuj nga praktika dhe realiteti i medias shqiptare, ku forma dhe mesazhi mund të përdoren në funksion të arritjes së viralitetit.

Paneli i tretë i këtij sesioni kishte në fokus “Start Up Albania – Framewatch Albania: Platformë për Monitorimin dhe Analizën e Framing-ut dhe Narrativave Mediatike” dhe u drejtua nga dekania Belina Budini. Në diskutim morën pjesë Albana Nexhipi, editore dhe botuese e MetropolPost.al; Rrezart Bozo, programues në BalkanWeb; si dhe Anxhela Ferhataj, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi nga UET.

Sesioni i dytë, i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, mblodhi përfaqësues të institucioneve dhe kompanive me të cilat fakulteti bashkëpunon. Në qendër ishte situata aktuale në sektorët përkatës dhe pritshmëritë që punëdhënësit kanë ndaj profesionistëve të rinj dhe të sapodiplomuarve. Pjesë e diskutimit ishin Rovena Caush, nëndrejtoreshë e Gjimnazit “Qemal Stafa”; Alteo Kasaj nga Institute of Cognitive Behavioral Therapy; Bruno Ferra, Social Advisor në GIZ Albania; Migen Sulaj nga Qendra KODDI dhe Olsjana Luzi nga Your Gym.
Një tjetër fushë që po përballet drejtpërdrejt me ndikimin e teknologjive të reja është arti, veçanërisht për shkak të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. Robotët kanë hyrë tashmë në skenë, ndërsa muzika dhe piktura mund të prodhohen edhe me IA, duke prekur një hapësirë që tradicionalisht i përkiste punës dhe krijimtarisë njerëzore. Megjithatë, mbetet ende e hapur pyetja se si do të zhvillohet kjo marrëdhënie dhe cili do të jetë ekuilibri mes teknologjisë dhe krijimtarisë njerëzore. Olta Ahmetaj, drejtoreshë Artistike e Cirkut të Tiranës; Armela Demaj, drejtoreshë e Teatrit Metropoli; dhe skulptori Emanuel Sali Koko sollën perspektivat e tyre mbi zhvillimet në artet skenike dhe pamore, investimet në këto fusha dhe vlerësimin e punës njerëzore.

Në përfundim të HR Club 2026, dekania Budini ftoi pjesëmarrësit që dialogu të mos mbetet vetëm brenda aktivitetit, por të vijojë përmes partneriteteve dhe takimeve të tjera edhe pas rikthimit të studentëve në auditor me nisjen e vitit të ri akademik. Në një treg pune që ndryshon vazhdimisht, bashkëpunimi mes universitetit dhe profesionistëve shihet si një nevojë për t’iu përgjigjur në kohë sfidave të reja.
Mbi të gjitha, sipas Budinit, takime të tilla u shërbejnë studentëve për të kuptuar më qartë se si po ndryshon e ardhmja e profesionit të tyre. Sepse sot përgatitja për tregun e punës nuk lidhet më vetëm me zotërimin tradicional të një profesioni, por me aftësinë për t’u përshtatur, për të zhvilluar kompetenca të reja dhe për t’i zbatuar ato në një realitet profesional që transformohet vazhdimisht.

