E martë, 26 Maj, 2026
Arsimi

Mbyllja e shkollës “Mehmet Akif”, reagon Kushi: “Nuk plotësonte standardet e MAS”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Pas reagimeve të shumta mbi mbylljen e shkollës Mehmet Akif në Tiranë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit Kushi.

Në një status të vetin, Kushi pohon se kësaj shkolle i është refuzuar licenca jo se është pjesë e fondacionit të Gylenit, por sepse nuk plotësonte standardet e vendosura nga Ministria e Arsimit.

Sa më poshtë, statusi i ministres Evis Kushi.

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

  1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
  2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
  3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.

Nga ambientet e shkollës “Mehmet Akif” vajza.
Nga ambientet e shkollës “Mehmet Akif” vajza.
Nga ambientet e shkollës “Mehmet Akif” vajza.
Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top