E hënë, 28 Shtator, 2026
Libraria

“Vera e zhytjeve” nga Sara Stridsberg/ Kërkimi nostalgjik që shndërrohet në aventurë…

· 5 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Vera e zhytjeve nga Sara Stridsberg – një kërkim nostalgjik që shndërrohet në aventurë, imagjinatë dhe qëndresë, një libër i mrekullueshëm dhe prekës për të gjitha moshat

I përzgjedhur nga The New York Times ndër librat më të mirë për fëmijë për vitin 2022.

Botues: Shtëpia Botuese DITURIA
Autore: Sara Stridsberg
Ilustrime: Sara Lundberg
Përkthyes: Sokol Demaku

Mobileri

Vera e zhytjeve është historia e vogëlushes Zoe, për të cilën vera nuk fillon me pushime, det apo udhëtime. Krejt befas një ditë, babai i saj nuk është më në shtëpi. Ajo e sheh tani vetëm në fotografi, duke qeshur, duke luajtur tenis… dhe mund ta takojë vetëm në një ndërtesë me mure të lyera me një rozë të shëmtuar. Një vend ku edhe një fëmijë e kupton se diçka nuk shkon.

Babai është i sëmurë. Ka ditë kur e kaplon kaq shumë trishtimi, sa nuk dëshiron ta takojë të bijën. Por Zoe nuk dorëzohet, shkon, gjithsesi. Në këtë hapësirë të brishtë të familjes, ku dashuria vazhdon të ekzistojë edhe kur sëmundja e ka bërë jetën të paparashikueshme, Sara Stridsbergu vendos historinë e Verës së zhytjeve. Një libër që flet për një temë delikate, siç është ajo e sëmundjeve mendore, pa e rënduar me fjalë të mëdha dhe pa e parë fëmijën si një spektator të pafuqishëm përballë fatit të të rriturve. Sepse Zoe nuk është thjesht bija e një babai të sëmurë. Ajo është një fëmijë që kërkon të kuptojë botën e vet.

Dhe, siç ndodh shpesh në fëmijëri, kur realiteti bëhet tepër i vështirë, imagjinata hap një derë. Dhe, në rastin e Zoes, ajo derë mban emrin Sabina. Ndërsa pret të atin e ulur në stol, Zoe takon Sabinën, e cila e fton të bëjnë diçka që ngjan e pamundur: të notojnë nëpër botë. Zoe nuk beson në diçka të tillë, por Sabina e siguron se: “Një vajzë mund të bëjë gjithçka që dëshiron”.

Dhe të dyja zhyten. Jo një, por shumë herë.

Për një fëmijë, kjo mund të jetë krejt e mjaftueshme për ta ndryshuar përmasën e një dite. Por zhytjet e Zoes nuk janë arratisje nga realiteti. Janë mënyra për ta përballuar atë. Imagjinata nuk e shëron të atin, nuk e zhduk mungesën dhe nuk e largon sëmundjen. Ajo bën diçka tjetër: i jep Zoes një hapësirë ku mund të marrë frymë.

Këtu qëndron edhe një nga cilësitë më të bukura të librit të Stridsbergut. Ajo nuk përpiqet t’ia shpjegojë fëmijës sëmundjen e të atit. Nuk e kthen historinë në një mësim për sëmundjet mendore apo për marrëdhëniet familjare. E vendos lexuesin pranë Zoes dhe e lë ta përjetojë situatën nga pozicioni i saj. Dhe nga ai pozicion, bota duket ndryshe.

Një baba mund të jetë njëkohësisht ai që mungon dhe ai që dashuron. Një vizitë mund të jetë njëkohësisht e dhimbshme dhe e domosdoshme. Një ndërtesë me mure rozë mund të bëhet vendi ku një fëmijë pret dikë që do të donte ta kishte në shtëpi.

Stridsbergu nuk e paraqet sëmundjen si një sekret që duhet fshehur dhe as si një identitet që përkufizon njeriun. Në qendër mbetet marrëdhënia: një vajzë që e do babanë e saj dhe një baba që, edhe kur nuk është në gjendje të jetë pranë saj, vazhdon të jetë pjesë e botës së saj.

Kjo e bën Verën e zhytjeve një libër tepër të veçantë: një libër për mungesën, për dashurinë, për pritjen, për miqësinë që vjen pa paralajmërim, për fuqinë që mund të ketë një fëmijë edhe kur nuk mund ta ndryshojë atë që po ndodh përreth tij. Dhe, mbi të gjitha, për imagjinatën.

Sepse fëmijët nuk kanë gjithmonë mundësi të zgjedhin rrethanat në të cilat rriten. Por shpesh kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të krijuar hapësira të reja brenda tyre.

Zoe dhe Sabina notojnë nëpër botë gjatë asaj vere. Është një lojë, por edhe diçka më shumë se lojë. Është një mënyrë për të mos qëndruar vetëm përballë asaj që nuk mund ta kuptosh.

Në fund, babai kthehet në shtëpi. Por ndoshta nuk është kthyer vetëm ai. Është kthyer edhe Zoe, pas një vere në të cilën ka mësuar se bota mund të jetë e dhimbshme pa qenë e pashpresë. Se dashuria mund të bashkëjetojë me mungesën. Dhe se ndonjëherë, për të kaluar përmes një periudhe të vështirë, duhet të zhytesh aq thellë në imagjinatë, sa të dalësh në një vend ku mund të marrësh sërish frymë lirisht.

Djali që e sheh botën me gishta, i shkrimtarit polak Tomasz Małkowski – një libër që të kujton se nuk ka vetëm një mënyrë për të parë, për të mësuar dhe për të qenë pjesë e botës…

Autorja: Sara Stridsberg

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top