
Dy të rinj, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se tentuan të mashtronin presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për t’i marrë 100 mijë euro.
Sipas të dhënave të bëra publike, të rinjtë kanë kontaktuar Dukën duke u prezantuar me emrin e Taulant Ballës dhe i kanë kërkuar shumën në kriptomonedha. Duka dyshoi për skemën e mashtrimit dhe njoftoi policinë, e cila ndërhyri më pas për të dokumentuar rastin.
Burime nga grupi hetimor për gazetaren Xhensila Kodra, bëjnë me dije se personi që u është kërkuar shuma prej 100 mijë eurosh është kreu i FSHF Armand Duka. Ndërsa dy të arrestuarit janë prezantuar në aplikacionin Sinjal si Taulant Balla. Fillimisht shuma është kërkuar në kriptomonedha, por më pas është dakortësuar që të dorëzohej në euro.
Të njëjtat burime sqarojnë se dorëzimi i pararave është bërë nga agjentë të infiltruar dhe arrestimi ka qenë në flagrancë. Ndërsa dorëzimi është bërë në Elbasan ku jetonin dy të arrestuarit.

Denoncimi në polici është bërë nga vetë Duka, i cili ka dyshuar se kishte rënë pre e mashtrimit. Mesazhi i mbërritur në celularin e tij nga dy të arrestuarit thuhej se duke u prezantuar si Taulant Balla, Duka duhet të dërgonte shumën e parave tek adresa që u kishte dhënë dy të rinjë, duke u hequr si të njohur të Ballës.
Pas arrestimit, ata nuk kanë pranuar të japin deklarime të hollësishme për policinë se kush fshihet pas tyre, ndërsa dyshimet kryesore bien mbi Florian Gjergjin.
Ndërkohë, gjatë komunikimit Duka i ka thënë që lidhuni me djalin tim sepse nuk marr vesh nga këto gjëra për kriptomonedha. Në telefon dy të arrestuarve i ka dalë një nga agjentët e policisë duke u prezantuar si djali i Dukës. Agjenti i infiltruar u ka thënë dy autorëve se nuk i ka paratë në kriptovalutë, por do ia sjellë cash/ Panorama
Njoftimi i plotë nga Policia e Shtetit
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Seen”.
Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.
Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

