
Gjigandi kinez i tregtisë onlajn TEMU, akuzohet se nuk ka identifikuar, analizuar dhe vlerësuar siç duhet, rreziqet e shitjes së produkteve që nuk përputhen me Aktin e Shërbimeve Dixhitale. Aktualisht Temu ka afat deri më 28 gusht 2026, për të paraqitur një plan me masa dhe adresuar mangësitë.
Temu përgjigjet: “Gjoba është joproporcionale.” Temu, gjigandi kinez i tregtisë elektronike, është gjobitur me 200 milionë euro për ofrimin e produkteve të paligjshme në platformën e tij, duke shkaktuar dëm për konsumatorët. Gjoba vjen nga Komisioni i BE-së, sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA) për dështimin në identifikimin, analizimin dhe vlerësimin me zell të rreziqeve sistemike, që rrjedhin nga shitja e produkteve të paligjshme. Provat e disponueshme, shpjegon ekzekutivi i BE-së në një deklaratë, tregojnë se konsumatorët ka shumë të ngjarë të hasin artikuj të paligjshëm në Temu, i cili tashmë ka afat deri më 28 gusht 2026, për të paraqitur një plan masash për të korrigjuar shkeljen e kontestuar të detyrimeve.
Karikues dhe lodra të pasigurta që përmbajnë nivele të larta kimikatesh
Vlerësimi i rrezikut i Temu-t për vitin 2024, shpjegon Komisioni, nuk përmbush standardet e përcaktuara nga DSA, pasi bazohet në një informacion të përgjithshëm sa u takon rreziqeve që lidhen me sektorin e tregtisë elektronike në tërësi, dhe jo në prova specifike në lidhje me shërbimin e Temu-t.
Provat e mbledhura gjatë një operacioni blerjeje të paidentifikuar – një mjet analize i fshehtë për të vlerësuar cilësinë e shërbimit të ofruar – tregojnë se një përqindje shumë e lartë e karikuesve të përzgjedhur, dështuan në testet bazë të sigurisë, ndërsa një përqindje e lartë e lodrave të fëmijëve të testuara, paraqisnin rreziqe sigurie nga mesatare deri në serioze, pasi ato përmbanin kimikate që tejkalonin kufijtë ligjorë ose paraqisnin rreziqe mbytjeje për shkak të pjesëve të shkëputshme.
Çfarë kërkon ligji i BE-së?
Akti i Shërbimeve Dixhitale, i njohur si DSA, kërkon që platformat e mëdha online, të vlerësojnë me kujdes rreziqet sistemike që lidhen me shërbimet e tyre, dhe të miratojnë masat përkatëse zbutëse. Duke mos përmbushur këto detyrime, Temu u sanksionua me një gjobë përllogaritur bazuar në natyrën, ashpërsinë dhe kohëzgjatjen e shkeljes.
Siç u përmend më parë, kompania e tregtimit onlajn, ka tashmê tre muaj për të propozuar një plan veprimi për të adresuar mangësitë, në përputhje me ligjin.
Pas marrjes së këtij plani, Bordi Evropian i Shërbimeve Dixhitale do të ketë një muaj për të shprehur mendimin e tij dhe për ta kaluar çështjen në Komisionin e BE-së, i cili, nga ana tjetër, do të ketë një muaj për të marrë një vendim përfundimtar.

