Duket se situata mes dy liderave të PD-së, sa vjen e tensionohet edhe më tepër. Lideri historik i saj, Sali Berisha, ka hyrë me të vetët në një prej sallave të selisë së PD-së, pasi një prej mbështetësve të tij ka shkelmuar derën e saj. Pasi ka nisur konferencën për shtyp, Berisha e ka cilësuar kyçjen e dyerve nga Basha, si një akt i shëmtuar, ashtu siç ka qenë, sipas Berishës, edhe futja e eksponentëve të armatosur të qeverisë e të banditëve në selinë e PD-së.
Mbyllja e dyerve të selisë demokratike nga Peng Basha apo Lul Brava, tha Berisha mes të tjerave, është një akt i shëmbtuar. Siç është e shëmtuar futja e eksponentëve të armatosur të qeverisë dhe banditëve në selinë e demokratëve. Kjo është shtëpia e lirisë dhe jo e armëve. Në këtë kontekst, nuk është Sali Berisha, as këta zotërinj anëtar të komsionit të përkohshëm, që kanë bërë lojën me bravën. Lojën e bravave, në mënyrë të turpshme, e ka nisur dhe e bitis Lulëzim brava, por, edhe një herë, nuk ka bravë e forcë, nuk ka asnjë që mund të ndalojë këtë revolucion, pa zbatuar vendimet e anëtarëve të tij.
Ndërkaq, përmes një konference për shtyp, Basha e ka cilësuar ish mentorin e tij si një njeri që po vazhdonte të bëhej tub oksigjeni për Ramën, duke tërhequr vëmendjen drejt vetes, e duke e larguar atë nga afera e inceneratorëve.
Ndërkohë që ne jemi fokusuar tek inceneratorët dhe korrupsioni qeveritar, tha Basha në Konferencën për shtyp, Sali Berisha vërtetoi edhe një herë se misioni i tij i vetëm, është të bëhet pengesë për opozitën dhe opozitarizmin dhe të vazhdojë të jetë një tub oksigjeni, për një lëvizje ilegjitime dhe në koma. Është bërë pengesë edhe për hetimin e inceneratorëve, që duhej të ishte sot tema kryesore kombëtare dhe ndërkombëtare e çdo medie, përfshi edhe ato që u është mbyllur goja apo ekrani, për shkak të pagesave që kanë marrë nga inceneratorët. Në vend që të merremi me vjedhjen e shekullit, në vend që të shohim në pranga ata që janë pjesë e kësaj afere, prej Sali Berishës dhe me ndihmën e tij, sot po merremi prapë me Sali Berishën, i cili, nga trishtimi për dështimin e një lëvizjeje falso personale, po zbrazet mbi dyert e korridoret e PD, i shoqëruar nga eksponentë të krimit të organizuar, siç është Fatjon Dautaj, narko-trafikanti i kërkuar nga policia në Britaninë e Madhe, njeriu që shkelmoi dyert e një prej dhomave të selisë demokratike, të asaj që njihet nga gazetarët si dhoma e kryesisë.