E mërkurë, 27 Maj, 2026
Opinion

Për veten, Klodianin dhe Policinë e Shtetit!

· 3 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Nga Lindita Çela

Ndër radhët e Policisë së Shtetit kam shumë miq, e shpesh herë nga bisedat me ta kam fatin të mësoj çfarë ndodh brenda armatës së madhe “të Forcës së Ligjit”.

Kurrë nuk kam abuzuar mbi besimin e dhënë, por ama jam përpjekur të futëm në lëkurën e tyre, për të kuptuar si ndihen kur në krye u vendosin një ushtarak, që komandë të vetme ka zbatimin e urdhrave të shefit të tij; një militant partie që detyrë të parë shtetërore ka të qënurit ministër; apo edhe, në rastin më të mirë, një person që nuk e nis ditën e parë, me një listë emrash që duhen larguar nga armata e “forcës se ligjit”, vetëm pse nuk konsiderohen të “besuar”.

Kjo mendësi e përdorimit të “Forcës së ligjit”, për fat të keq ka shkaktuar viktima, më së pari ndër radhët e policisë; janë vrarë; janë të keq paguar; të përdorur nga një aksion në tjetrin; të braktisur; të përbuzur nga ajo pjesë e shoqërisë që kërkon zbatimin e ligjit; të nëpërkëmbur nga ata që sjellin në pushtet shefat e tyre që sigurojnë vende pune si bibliotekarë e më pas zhduken para se “forca e ligjit” të rëndojë mbi ta.

Në këto ditë, kur të gjithë u jemi vërsulur me tërë arsenalin e fjalëve tona të urrejtjes, m’u kujtua statusi i një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit, i cili nuk e kaloi testin e “besimit të titullarit të partisë”, e që duket se shpëtim ka gjetur në muzën e tij e krijimit.

Oficeri i lartë i Policisë së Shtetit, shkruante: “Në vitin 1991, një pedagog në Shkollën e Lartë të MPB, na pyeti në auditor: Kush më thotë, përse përgatiteni ju?”. Të gjithë entuziastë folëm për funksionet që do të kryenim në të ardhmen e afërt…

I pakënaqur nga përgjigjet, pedagogu fjalëpakë tha prerë: “Jo! Ju përgatiteni që të mos ju vlerësojnë për punën që do bëni, përgatiteni t’ju përbuzin, t’ju fyejnë, t’ju rrahin, t’ju fusin në burg e në rastin më të keq, t’ju vrasin!“.

M’u kujtuan këto fjalë, për të shtruar pyetjen: çfarë policash po krijojmë sot? Kush i mëson e trajnon ata? Kush janë idhujt e tyre? Kush janë drejtuesit e tyre? Kush janë kriteret e përzgjedhjes së tyre? Kush janë dhe sa zbatohen standardet e meritokracisë?

I shtrova këto pyetje me veten, përpara se të hedh një gurë mbi policinë, që unë mos të mos kem fatin e zi të Klodianit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top