
Protestuesit kundër projektit në Zvërnec mbërritën para Kryeministrisë edhe pse policia tentoi t’i ndalojë duke vendosur kordon hekuri.

Poshtë zyrës së Edi Ramës nuk munguan thirrjet kundër qeverisë, por edhe ndaj opozitës.
Mes sloganëve, dëgjoheshin thirrje si “Opozitë e shitur” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur pakënaqësi ndaj të gjithë klasës politike.

“Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Burrel”, qe një tjetër refren, duke iu referuar faktit se nesër pasnesër ky shpend nuk do ketë ku të jetojë nëse nuk ka më habitatin e vet.
Kjo është protesta e katërt e organizuar nga qytetarët kundër projektit në Zvërnec, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në zonën e mbrojtur dhe më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura deri tani.
Ndryshe nga 3 protestat e para protesta e sotme për Zvërnecin pati tensione që në nisje. Qytetarët u ballafaquan me kordonin policor dhe arrtiën të hiqnin gardhin metalik te Ura e Lanës.
Sakaq, policia iu kundërpërgjigj me ujëhedhëse në drejtim të tyre. Policia nuk lejoi kalimin e protesttuesve drejt Kryeministrisë pasi në Air Albania luhej ndeshje Shqipëri-Izrael.
Paralelisht me Tiranës, qytetarë të Vlorës janë ngritur në protestë kundër projektit në Zvërnec.
Të vendosur te sheshi i Flamurit në Vlorë, qytetarët protestojnë, ndërsa kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë.

