
Aktori i njohur Sam Neill ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare; ai njihej më së shumti për rolin kryesor si paleontologu Alan Grant në sagën Jurassic Park e po ashtu për pjesëmarrjen në filmin The Piano, i cili fitoi çmimin “Palme d’Or” në Festivalin e Filmit në Kanë.
Me origjinë nga Zelanda e Re dhe i lidhur ngushtë me Irlandën, ai mori pjesë në mbi 150 prodhime gjatë një karriere që përfshiu pesë dekada.

Neil ndërroi jetë në Sidnei — “papritur dhe në mënyrë të paparashikuar”, sipas një deklarate të publikuar në faqen e tij në rrjetet sociale. Në vitin 2023, ai deklaroi se vuante nga limfoma angioimunoblastike e qelizave T, një lloj i rrallë kanceri i gjakut, edhe pse prillin e kaluar deklaroi se qe shëruar.
I lindur në vitin 1947 në Omagh të Irlandës së Veriut, nga një nënë angleze dhe një baba nga Zelanda e Re që shërbente në Ushtrinë Britanike, ai u shpërngul me familjen në Zelandën e Re në vitin 1954. Gjatë kohës që ishte në universitet ai zhvilloi një pasion për aktrimin, duke interpretuar në disa prej shfaqjeve të Universitetit të Canterbury-t, dhe më vonë u transferua në Wellington, për t’iu bashkuar teatrit “Downstage”. Ai vazhdoi punën në teatër derisa — pasi hyri në industrinë e filmit të Zelandës së Re në fillim të viteve 1970 — arriti suksesin e madh me filmin Sleeping Dogs (1977), të ndjekur nga filmi australian My Brilliant Career (1979) krahas Judy Davis.
Pas disa roleve të vogla në televizionin vendas, kthesa në karrierën e tij erdhi në vitin 1977 me Sleeping Dogs, filmi i parë nga Zelanda e Re që u shfaq në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1993, Neill arriti famë ndërkombëtare falë dy interpretimeve: atij të kolonit nga Zelanda e Re, Alisdair Stewart, në filmin fitues të çmimit “Oscar” të Jane Campion, The Piano, dhe atij të Dr. Alan Grant në filmin Jurassic Park të Steven Spielberg — një rol që fillimisht i ishte ofruar Harrison Ford-it. Neill e përsëriti rolin e Alan Grant në vazhdimet Jurassic Park III dhe Jurassic World Dominion. Aktori është shfaqur gjithashtu në një sërë serialesh televizive, përfshirë Reilly: Ace of Spies (1983), The Simpsons (1994), The Tudors (2007), Crusoe (2008–2010), Happy Town (2010), Alcatraz (2012) dhe Rick and Morty (2019). Ndër rolet e tij të spikatura përfshihen paraqitjet në Merlin (1998) dhe Merlin’s Apprentice (2006), si dhe në dy sezonet e para të Peaky Blinders.

