
E yshtur prej debateve të shumta mbi “Odisenë” e Cristopher Nolanit, vendosa të veja ta shihja dhe unë. Kur ti e ke lexuar një vepër letrare, edhe kur je indiferente ndaj riprodhimeve të saj në forma të tjera artistike, sërish nuk të lë krimbi pa i hedhur një sy “veprës së re”. Por më duhet të rrëfej se qysh përpara se të nisesha, e kisha një farë paragjykimi se, qoftë edhe prej fytyrave rioshe të personazheve, që dashur padashur mbartin vulën e kohërave të sotme, regjisori do ta kishte të vështirë të na i sillte atë kohë aq të largët sa ajo e Odisesë, kohën homerike domethënë. Pra qysh në fillim isha e prirur ta krahasoja pashmangshërisht me tërë variantet e Odisesë dhe Uliksit që kam kaluar ndër duar gjatë viteve dhe imazhet që memoria ime ka ruajtur prej tyre, e doemos edhe me Odisenë e famshme luajtur nga Bekim Femiu dhe Irene Papas.
Mirëpo, e bukura në kinematografi (dhe jo vetëm, por në çdo vepër që rimerret për t’u rishkruar e rikonceptuar në çdo zhanër artistik), është se skenaristi/regjisori mund të bëjë ç’të dojë me veprën. Ta marrë, ta fragmentarizojë, ta përmbysë, të përzgjedhë atë pjesë që e ndihmon të shprehë atë që ai do, të demitizojë personazhet (gjë që Nolani ia kishte mbërritur mjaft mirë me Helenën dhe Klitemnestrën zezake apo me Menelaun që nuk dukej aspak si mbret), e me të tëra këto të na japë një kënd të ri të perceptimit të veprës, një anë tjetër të historisë, që deri më këtë çast audienca, pra neve, nuk e kemi parë a ndjerë ndonjëherë. Dhe unë besoj se, përtej realizimit artisktik të skenave të mëdha, fushë-betejave gjigande, Skillës e Karibdës, apo Polifemit e Circes, Nolani ia ka mbërritur më së miri pikërisht kësaj: një këndvështrimi të ri të rrugëtimit të Odisesë.

Për të tërë ata që nuk e kanë kanë parë, historia e Odisesë në filmin e regjisorit Cristopher Nolan vjen prej rrëfimit të disa personazheve, kryesisht falë reminishencës. Fjala bie, padëshirën e Odisesë për të shkuar në luftë, na e sjell Penelopa përmes kujtimeve, teksa i rrëfen të birit, Telemakut, kohën kur i ati vendosi të shkonte në luftë dhe bisedat që kishin bërë rreth saj; bëmat e Odisesë, famën e tij si njeri tejet i zgjuar e dinak, na i sjell Menelau kur takon Telemakun; peripecitë e udhëtimit pas largimit nga Troja na vijnë prej gojës së vetë Odisesë teksa ia rrëfen Kalipsosë, e kështu me radhë, derisa historia plotësohet me tërë pjesët e saj. Vetëm se tek Odiseja e Nolanit, ndryshimi nuk nis këtu. Ai nis tek rrëfimi i historisë prej vetë Odisesë, një rrëfim që mbart edhe reflektimin e thellë e të brendshëm të vetë personazhit, për gjithçka ka bërë e ka kaluar.
Ne jemi mësuar të flitet mbi Odisenë, mbi dinakërinë e tij, se si ai sajoi hilenë e kalit për të pushtuar Trojën. Por asnjëherë nuk kemi parë një vepër ku Odiseja reflekton mbi të gjithën këtë, pishmanin mbi sa dhimbje e vuajtje kishte shkaktuar hileja e tij “e vogël”, dhe pikërisht kjo është edhe risia që ia vlen të analizohet në krijimin kinematografik të Cristopher Nolanit.
Odiseja e Nolanit është një njeri që nuk do të shkojë në luftë, do të rrijë në shtëpi të shijojë gruan e djalin, por për hir të marrëdhënieve të pushtetit që ka me Agamemnonin, është i detyruar të shkojë. Ai e di që kjo luftë nuk bëhet dhe aq për Helenën, sesa për qëllimet tregtare e të pushtetit të Agamemnonit, por sërish nuk mund ta refuzojë ftesën për të qenë pjesë e saj.

Odiseja i Nolanit do t’i japë fund sa më parë kësaj lufte e të kthehet në shtëpi tek e shoqja dhe djali, ndaj sajon shpejt e shpejt një hile të vockël, nga ato që duken sikur të zgjidhin punë, por q të zhysin më keq: një kal dhuratë brigjeve të Trojës për perëndeshën Athina, në barkun e të cilit qenë fshehur luftëtarët grekë. Këta të fundin sulmojnë pabesisht sapo futen në qytet dhe Troja e famshme merret brenda pak ditësh. Fitorja u mbërrit falë kësaj hileje, por Odiseja e Nolanit nuk e kishte menduar kurrë atë që do t’i ndodhte pasi i kishte dhënë udhë një zinxhiri vrasjesh për pushtet, të cilat e ndryshuan një herë e përgjithmonë, fatin e botës e të tijin.
Në një pikë të filmit, sapo mbaron lufta me trojanët, grekërit kanë fituar dhe anijet po bëhen gati të kthehen vatrave të tyre, Odiseja, siç e bëjnë shpesh edhe shqiptarët xhanëm, pasi kanë qenë pjesë e ndonjë ceremonie mortore, vendos të mos vejë drejt e në shtëpi, për të mos e shpënë mortin atje (siç e shpuri Agamemnoni në fakt, që sa mbërriti në shtëpi, u vra prej të shoqes, Klitemnestrës). Odisea vendos t’i lerë anijet nga t’i shpjerë era e perëndimit, dhe me kureshtinë e njeriut të mençur, shpreson të eksplorojë vende që s’i njeh, botë të tjera, sa për të harruar mortin që la pas dhe rigjetur veten e humbur.
Por hakmarrja e Zotave nuk e kursen: me hilenë e vet kishte shkelur ligjin e Zeusit, kishte prerë në besë mikrpritësit, dhe këtë duhej ta paguante . Veç kësaj, mua më pëlqen në fakt t’i mvesh edhe një tjetër mëkat Odisesë, atë që i ka mveshur Dantja tek Ferri i tij, i cili e dënon Odisenë në rrethin e tetë, aty ku janë të tërë ata që e përdorin mençurinë për të mashtruar dhe manipuluar. Dhe kështu nisin peripecitë…

Por Zotat, sa e sulmojnë, aq edhe ruajnë Odisenë. Ndryshe nga tërë bashkëluftëtarët e vet, ai kthehet në shtëpi, vret mëtuesit, shpëton të birin e bashkohet sërish me gruan, por Nolani nuk e sjell këtë përfundim si një dëshirë e papërmbajtshme e Odisesë për t’u bashkuar me të shoqen. Në një pjesë të filmit madje, vetë Odisea e pohon që nuk kishte dëshirë të kthehej në shtëpi. Madje-madje, edhe loja aktoriale e Anne Hathaway me Matt Damon sa i takon dashurisë Penelope-Odise nuk të përcjell ndonjë emocion të fortë, është e thatë. Kjo sepse regjisori Nolan ka dashur t’i jap rikthimit në shtëpi ngjyra identitare. Rikthimi në shtëpi për Nolanin është rikthimi tek identiteti vetiak. Odiseja, pas atyre betejave për tjetrin (sepse lufta e Trojës nuk qe e tija, qe e Agamemnonit dhe Menelaut), atij rrugëtimi të gjatë dhe reflektimi shpirtëror për të rigjetur sërish veten dhe betejat e veta, u kthye tek i vetmi vend që i jepte identitetin që kishte pasur: Zot i Itakës, burri i Penelopës dhe ati i Telemakut. Është pikërisht ky identitet që do ta ndihmojë të bëjë betejat e veta, ato të vërtetat, siç qe nderimi i ushtarëve të vrarë që s’mundi t’i nderonte në luftë, një betejë që rrëfen shumë sidomos nga këndvështrimi i Nolanit, mbi motivin pse Zotat e kursyen Odisenë.
Por, Odisesë së Nolanit I janë bërë interepretime të ndryshme. Unë besoj se të tëra bashkë na japin atë që vepra ka përçuar e do të përçojë në shekuj, edhe pse unë vetë besoj se qasja e një Odiseje që reflekton, që bëhet pishman për krimet e kryera, që ngjiz një mea-kulpa me veten, do të zërë një vend të veçantë në leximet që do t’i bëhen historisë së Odisesë.
Në kohën tonë, luftërat, vrasjet, përdhosjet nuk janë të pakta, e ndaj reflektimi i simbolit më të famshëm të dinakërisë në botë, Odisesë, mbi një nga luftrat që shënoi historinë e botës, atë të Grekërve me Trojanët, duket si një këmbanë që fton të tërë të ngjashmit e tij, të reflektojnë përpara se të jetë shumë vonë, përpara se Zotat të mos i kursejnë, përpara se Zotat të mos falin më askënd.

* drejtuese e MetropolPost.al
________________
Ky është artikull ekskluziv i portalit MetropolPost.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “MetropolPost.al” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

