E mërkurë, 29 Korrik, 2026
Bota

Moska urdhër-arrest për kreun e Telegramit: “Bashkëpunëtor në terrorizëm”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Rusia ka njoftuar lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për themeluesin dhe CEO-n e Telegramit, Pavel Durov, me akuza për “bashkëpunim në terrorizëm”. “Është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për kreun e Telegramit, Pavel Durov,” deklaroi shërbimi i sigurisë së Kremlinit, FSB, në një njoftim të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Shërbimet e sigurisë vunë në dukje më tej se Durov – i cili ka lindur në Rusi dhe zotëron pasaporta të Francës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shtetit të Karaibeve, Shën Kits dhe Nevis – ndodhet aktualisht në Francë.

“Lehtësim i aktiviteteve terroriste”: Pavel Durov akuzohet për “lehtësim të aktiviteteve terroriste” për shkak të dështimit të heqjes së kanaleve dhe “bot-eve” nga platforma, të cilat “përdoreshin nga shërbimet speciale ukrainase dhe nga organizatat terroriste e ekstremiste, për të përgatitur dhe koordinuar akte sabotimi dhe terrorizmi në Rusi”. Kjo sipas një deklarate të agjencisë ruse të inteligjencës së brendshme, FSB, cituar nga agjencia e lajmeve Interfax.

Agjencia RIA Novosti, sqaroi se hetuesit i referohen shërbimit të njohjeve “Leonardo Dayvinchik”, përmes së cilit agjentët ukrainas, duke u shtirur si gra, dyshohet se kontaktonin të rinj rusë dhe i nxisnin ata të kryenin akte sabotimi ose terrorizmi. FSB pretendon se, që nga korriku i vitit të kaluar, 46 shtetas rusë të moshës 12 deri në 22 vjeç, janë arrestuar tashmë në 16 rajone si pjesë e hetimit.

Durov, 41 vjeç, u ndalua në Francë në gusht 2024 dhe u mbajt për disa ditë për akuza në lidhje me përmbajtje të paligjshme, postuar në Telegram nga përdorues të caktuar.

Disa muaj më vonë, në mars 2025, magjistratët francezë i dhanë atij leje të largohej nga vendi dhe Durov u kthye përkohësisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku banon dhe ku ka selinë kompania e tij.

Në Rusi, qasja në platformën e mesazheve të menjëhershme, është bllokuar nga rregullatorët e telekomunikacionit. Megjithatë, shumë institucione – përfshirë zyrën e shtypit të Kremlinit dhe ministri të ndryshme – vazhdojnë ta përdorin atë për të përhapur lajme, kurse përdoruesit për përdorur sisteme që anashkalojnë ndalimin.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top