E enjte, 3 Shtator, 2026
Kronikë

Kërcënohet pronari i Regina Palm në Vlorë. “5 milionë euro ose largohu nga Shqipëria”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Të paktën 10 persona, shumica të armatosur, dyshohet se janë paraqitur te Hotel Regina Palm në Vlorë, ku kanë kërcënuar pronarin Vasil Bedinaj, i cili në polici ka deklaruar se është shantazhuar dhe i është kërkuar 5 milionë euro. Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen, e cila ka ndodhur pak pas mesditës së sotme në zonën e Rradhimës në Vlorë. Ai ka pretenduar se një grup personash të armatosur dyshohet se e kanë kërcënuar që t’i jepte 5 milionë euro ose ndryshe të largohej nga vendi brenda 24 orëve. “5 milionë euro gjobë ndryshe zhduku nga Shqipëria”, ka dëshmuar Vasil Bedinaj në polici.

Sipas informacioneve paraprake mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes. Pas kallëzimit në polici nga Bedinaj, blutë kanë ndërmarrë një operacion për kapjen e autorëve. Gjatë këtij aksioni në afërsi të Pusit të Mezinit, ata kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë ndjekjes makina tip ‘Range Rover’ ku ndodheshin 3 prej autorëve të dyshuar është aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Dy prej tyre janë dërguar në spital ndërsa i treti është dërguar në Komisariat. Njëri ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa tjetri ka marrë lëndime më të lehta.

Gjatë kontrolleve në automjet u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri. Ndërkohë Policia ka ngritur postoblloqe në Fier, Vlorë, Himarë e Tepelenë për kapjen e personave të tjerë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top