
Pronari i Orange Club në Sarandë, Spiro Iljadhi,në një intervistë për emisionin STOP në TV Klan, ngre akuza të rënda ndaj strukturave të Policisë, duke pretenduar se subjekti i tij është kthyer në objekt të një presioni të vazhdueshëm, me kontrolle, gjoba dhe provokime të përsëritura nga policia e shtetit.
Sipas Iljadhit, policia me urdhër të shefave të policisë paraqitet herë pas here pranë Orange Club në mënyrë provokuese dhe me një sjellje që, sipas tij, nuk synon zbatimin normal të ligjit, por krijimin e incidenteve dhe justifikimeve për të goditur biznesin.
Iljadhi shkon edhe më tej në denoncimin e tij, duke ngritur akuzuar shefin e krimeve se kërkon të fusin dhe të shpërndajnë lëndë narkotike brenda ambienteve të Clubit, me qëllim që më pas përgjegjësia t’i faturohet subjektit.
“Ne kemi arsye të dyshojmë se po kërkohet të na provokojnë dhe të krijojnë situata artificiale brenda klubit. Nuk do të pranojmë që dikush të tentojë të fusë drogë në ambientet tona dhe më pas të përdorë Policinë për të na goditur”, është qëndrimi i pronarit të Orange Club.
Sipas tij, çdo person që hyn në klub duhet të jetë objekt i kontrollit të strukturave të sigurisë së subjektit dhe çdo tentativë për futjen apo shpërndarjen e lëndëve narkotike duhet të hetohet deri në fund, pavarësisht se kush qëndron pas saj.
Për pronarin e Orange Club, presioni nuk lidhet vetëm me kontrollet dhe gjobat. Ai pretendon se pas refuzimit të kërkesave për para, ndaj biznesit janë shtuar provokimet dhe tentativat për ta paraqitur subjektin si vatër problematike.
Spiro Iljadhi denoncon se punonjësit e sigurisë së Orange Club kanë kapur në disa raste persona që dyshoheshin se shpërndanin lëndë narkotike dhe ia kanë dorëzuar Policisë, por sipas tij, pas vetëm një ore i kanë parë përsëri të lirë. “Ne i kapim duke shpërndarë drogë, ia dorëzojmë Policisë dhe pas një ore i shohim përsëri të lirë.
Atëherë lind pyetja: kush po e lufton drogën dhe kush po i mbron shpërndarësit?”, denoncon Iljadhi, duke kërkuar verifikimin e rasteve dhe të mënyrës se si Policia i ka trajtuar personat e dorëzuar prej tyre. / STOP, KlanTV

