Mirëmëngjesi i sotëm i kreut të qeverisë Rama në fejsbukun e tij, qe një seancë pyetje përgjigjesh mes tij dhe publikut, në përpjekje për të sqaruar situatën e menaxhimit të krizës energjitike, opinionin se Shqipëria ka mjaftueshëm burime hidrike për ta prodhuar atë në vend e jo për ta blerë me çmim të shtrenjtë, e po ashtu edhe rritjen ekonomike prej 18%, deklaruar pak ditë më parë prej zëvendëskryeministrit Ahmetaj, rritje që në gjykimin e njerëzve krijon një kontraditë me krizën e deklaruar pak më parë prej kreut të qeverisë Rama.
Në përgjigjet e tij Rama deklaroi se Shqipëria nuk e prodhon vetë të gjithë energjinë që i duhet, se e shet kur ka shumë rreshje me çmim të ulët, e se e blen në kohë thatësisrash, kur çmimet janë tejet të larta.
Sa i takon rritjes ekonomike me 18% Rama deklaroi se kjo i referohej ngritjes pas gropës që krijoi pandemia, dhe jo rritjes ekonomike të vendit e nuk mund të shpërndahej në rritje rrogash, të cilat, sipas Ramës, do të kryhen atëherë kur qeveria i ka parashikuar, pra më janar të 2022-it, fillimisht në nivelin 320 mijë lekësh të vjetra e më pas në 400 mijë për pagën minimale.
Po, është e vërtetë 18 % rritje në tremujorin e dytë, më e larta në rajon, si rezultat i një ngritjeje pas rënies dramatike nga pandemia, por nëse ky koment supozon teorikisht se meqë u rrit vërtet ekonomia, atëherë do të rriteshin automatikisht rrogat dhe pensionet, përgjigjja është jo, sepse kjo nuk funksionon kështu, sepse kjo rritje do të thotë se ekonomika po ringrihet me shpejtësi pas rrëzimit, dhe jo se po ngjitet më lart përpara sec ishte para se të rrëzohesh, ka thënë mes të tjerave Rama.