Kompania Pika Pro, dizenjuesja e logos së Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, e cila ngjalli reagime të shumta në publik për hir të ngjashmërisë së tejkajshme me një imazh të bleshëm në internet për pak dollarë, ka reaguar duke thënë se përngjasime kanë edhe logot e kompanive të mëdha. Në një prononcim për mediat në faqen e vet të Fejsbukut, kjo kompani njofton se shumën e 18 milionë lekëve me tvsh (pra rreth 15 milionë), e kishte përdorur për të paguar një sërë krijimtarisht dizajni dhe video, për të cilat stafi i saj kishte punuar mbi një vit.
Ndër të tjera, thekson ajo, koncepti kreativ i logos i ka ardhur si rrjedhojë logjike dhe artistike e zbërthimit të elementëve dhe filozofisë së institucionit, por ngjashmëri ka edhe mes logove të firmave më të famshme në botë.
Kujtojmë që logoja, dukshëm simotër me logon që blihet onlajn, ka ngjallur reagime të shumta në publik pikërisht se i shërben një institucioni të rëndësishëm kulturor shtetëror, siç është ai i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Pas reagimeve të shumta të publikut, ka reaguar edhe vetë TKOB, duke shprehur gatishmërinë për ta shpënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin, nëse nuk i është përmbajtur kushtit të orgjinalitetit.