Nisur nga botimi i librit të saj më të fundit, Lideri nuk lind.., bëhet, përpos analizës së liderave historikë shqiptarë, MetropolPost.al e pyeti studiuesen Halili edhe për lidershipin amerikan. A është kjo që po ndodh aktualisht në Amerikë, një krizë e lidershipit amerikan? Ç’lloj liderësh përfaqësojnë Trump, Obama dhe Biden? Ç’ndryshime mund të sjellë prania e Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë?
Donald Trump, përgjigjet studiuesja Halili, është modeli i liderit narcisist dhe këtë nuk e kundërshton sot asnjë shkollë e lidershipit. Kjo ështe edhe arsyeja pse shqiptarët e duan atë, pasi tek ai gjejnë modelin tipik të liderit që kanë hasur në vendlindjen e tyre. Në raportin lider-ndjekës gjendet shpesh një asosacion i tillë sikur e kemi me muzikën. A nuk na pëlqejnë më shumë këngët më të cilat kemi kaluar rininë? Kështu ndodh edhe në lidership: të frymëzon me tëpër ajo metodë drejtimi që njeh më mirë, që ia di zakonet, pasi të jep më siguri dhe më besim në vetëvete. Ajo që kuptohet, afrohet dhe duhet me shumë, pasi ajo që nuk kuptohet, quhet e rrezikshme. Kjo ndodh sidomos kur lideri është tepër karizmatik dhe narcissist, dhe ne rendim më tepër pas emocionit që na krijon ai, sesa vëmë në punë llogjikën apo arsyetimin.
Nga ana tjetër, duhet thënë, se social media ishte kryesorja që e ndihmoi Trump-in të vinte në pushtet, pasi duhet pranuar ai solli profilin e liderit të drejpërdrejtë, që e thotë çdo gjë troç, pa menduar gjatë për vërtetësinë e saj dhe pasojat që mund të sjellë. Shoqëria amerikane dhe ajo botërore, e lodhur nga politikanët “me fjalë të zgjedhura”, e pranuan këtë si një ndryshim progresiv dhe transformues, dhe nuk gjykuan gjatë se tashmë po vendosej pak nga pak, një thyerje e plotë e etikës, që konsiderohet e tillë jo vëtëm për një lider, por edhe për një qytetar të thjeshtë. U arrit deri aty, sa në vitet e para të drejtimit të Trump të thuhej “Epo Trumpi është Trumpi”, domethënë atij i lejohet të thotë çdo gjë. Kështu, jo-etika u pranua si normë. Me pranimin e kësaj tolerance, gaboi e tërë media, social-media, ndjekësit amerikanë dhe, në tërësi, gjithë politka amerikane. Ata i lejuan vetes të ndryshonin ato norma bazë që krijojnë figurën e liderit, që formësojnë modelin e arrirë të etikës në lidership, me të cilin lideri sa drejton, aq edhe ndikon.
Meqënëse jemi tek etika. Në shkencën e lidershipit thuhet qartë se etika është shpirti i vetë lidershipit dhe, sipas Gandit, lider me etike të lartë është ai që “mendon, thotë dhe vepron njëlloj..”. Unë mendoj se kjo eshte formula finale, për të vlerësuar një lider. Eshtë pikërisht etika, ajo që vendos në sjelljen e liderit apo vendimet e tij. Vendimi i liderit është pasqyrë e karakterit të tij. Mungesa e etikës nga ana e Trump-it, është pikë së pari rrjedhojë e mungesës së empatisë së tij totale, që njihet edhe si ana më kërcënuese e narcisismit të errët. Tek Donald Trump, sikur edhe tek Enver Hoxha, janë përmbledhur të gjitha anët e errëta të narcisismit, ku më shumë bie në sy natyra sharmante, po aq edhe shfrytëzuese e manipuluese, që ka aftësinë t’i verbojë njerëzit dhe t’i çojë ata në akte vetëflijimi.
Në fillim bëri për vete ekstremistët duke ofenduar dhe denigruar emigrantët , myslimanet dhe në përgjithësi gjithe ngjyrat që nuk ishin të tijat. Është shumë e vështirë të kuptosh se si një emigrant adhuron Trump-in, kur ky i fundit ka qenë dhe mbetet pikë së pari kundër tyre. Më pas, sikur çdo narcisist që ofendon çdokënd që ka kundër, edhe ai nuk hezitoi të ofendonte individët me të meta fizike, dhe të mendosh që në Shtetet e Bashkuara ka një ligj të veçante, që mbron respektimin e tyre, sikurse ka ligje që respekojnë çdo diversitet. Përfytyroni tani që nga zyra më e lartë e vendit, kemi perqeshje dhe ofendime ndaj çdo lloj diversiteti dhe jo vetëm!!! Kjo “e drejte ekslusive”, kjo mungesë etike, u tejkalua nga ai, por edhe e lane ta tejkalojë, dhe ky është një gabim i pafalshëm i shoqërisë amerikane, kur dihet që në atë tokë, gjithmonë është respektuar parimi : “e drejta e jote për fjalën e lirë, duhet të arrijë deri aty sa të mos më dëmtojë mua apo të tjerët fizikisht dhe jo vetëm.”
Trump ka arrogancën e djalit që ka arritur çdo gjë në jetë, falë lidhjeve të të jatit, dhe si i tillë ai mendon se i takon çdo gjë. Kjo e ka rënduar narcisismin e tij. Por kjo nuk është aq e rrezikshme sa është i rrezikshëm fakti që, ashtu si çdo lider narcisist që e ka pushtetin obsession, ai është në gjendje të pranojë dhe t’u prezantojë ndjekësve çdo idelogji apo demagogji që i shkon për shtat për momentin, vetëm në mbajtje të pushtetit, dhe pa besuar personalisht asnjërën. Ai fantazon çdo ditë për pushtetin dhe bëhet palë me çdo grup apo konspiracion që do e ndihmojë në këtë mision. Emigrantë trampista që kanë 30 vjet në Shtetet e Bashkuara, jane pjesë e MAGA-s (Make Amerika Great Again ) dhe unë kam një pyetje për ta: “Çfarë ka humbur SHBA në këto vite, qe e dashkemi pas?”. Në fillim të 2020-s Shtetet e Bashkuara kishin ekonominë më të lartë. Kjo do të thotë se teoritë manipulative antiglobaliste, sipas së cilave globalizmi do rrënojë SHBA-në, bien në kundërshtim me vetë faktet. Nga ana tjetër, protektonisti /izolacionist (tipar tipik i liderit narcisist ) Trump, ka dalë pothuajse nga të gjitha traktat ndërkombetare me trashëgimi 70 vjeçare, dhe duke u prishur me të gjithë aleatët stategjikë, ka mbetur vetëm me Putinin, i cili, po sipas trumpistëve, nuk ka është komunist.
Ishte Trump-i që e nxori Amerikën nga “Traktati i Paqësorit”, dhe kjo bëri që Presidenti komunist kinez, po atë ditë, të thotë: “Trump-i na bëri një dhuratë të madhe”dhe është fakt që Kina në këto katër vitet e fundit, është fuqizuar çdo ditë e më shume, dhe po aplikon në Evropë dhe Afrikë planin “Marshall”, shumë-shume herë më të madh se ai që aplikoi Amerika pas Luftës së Dytë Botërore .
Është shumë frikshme të mendosh, se sa të aftë janë liderët narcisiste dhe karizmatike të bindin ndjekësit e tyre deri në verberi, aq sa t’ua zbehin tërësisht arsyetimin personal. Ashtu si çdo lider, që e rrëfen karakterin e vet të vërtet në raste krizash, kur i duhet të marrë vendime vendimtare, Trump-i e rrëfeu tërësisht lidershipin e tij, kur iu desh të drejtonte e të merrte vendime për virusin që pllakosi Amerikën, dhe u përhap në shkallë të gjerë dhe tërësisht të pakontrolluar. Vendimet e tij u panë dukshëm që ishin më fort të lidhura me rizgjdhjen e tij si President, sesa me shëndetin e amerikanëve. Mungesa e empatisë së tij, u shfaq në shkallën më të lartë. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ai i humbi zgjedhjet, dhe si një narcisist tipik, nuk e pranoi kurrë rezultatin. Ndërkohë, sistemi demokratik amerikan punoi korrekt. Të 60 çështjet që ai çoi në gjykata, humbën në të gjitha shkallët, sikurse edhe shumë të tjera nuk arritën të shkonin deri aty, pasi u skualifikaun rrugës. Ndërkohë, këto ditë dimri, demokracia amerikane mori mësimin më të madh në historinë e saj: Sado i fortë sistemi, forca e një lideri të vetëm, mund ta përmbysë atë në një ditë”. Rastet e fundit të terrorit në Kongresin Amerikan, të frymëzuara nga vetë Trump, vërtetojnë më së miri teorinë e shkollës së lidershipit, sipas së cilës liderët narcisistë janë shumë të rrezikshem, sidomos pasi e kanë marre pushtetin, pasi në emër të ruajtjes së tij, ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka, dhe të kthehen deri në diktatorë. Ironikisht, si çdo lider toksik që nuk ka integritet, edhe ai, në fund i lau duart si Pilati, e u tha revolucionarëve të vet: “dhuna nuk pranohet” kur ai vetë e frymëzoi atë me fjalë revolucionare.
Më vjen shumë keq që shumë shqiptarë janë rreshtuar në anën e errët të historisë së Amerikës. Besoj se këtu ka faj edhe politka shqiptare, që asnjëherë nuk pati kurajon të flasë hapur për lidershipin amerikan të kohëve të fundit. Duket se ndoshta metodat e Trump-it u vijnë më për shtat, ndonëse ky i fundit nuk e di ku bie Shqipëria .
Ndërkaq Obama qe një lider idealist, që premonte ndryshimin dhe në fakt vetë zgjedhja e tij qe një ndryshim i madh për Amerikën. Ai ishte një lider amerikan tërësisht për emigrantet dhe ne mbrojtje të çdo diversiteti kulturor, fetar, nacional, gjenetik etj. Ai e gjeti vendin në një krizë totale, dhe e la me një ekonomi në ngritje, frytet finale të së cilës i gëzoi qeveria Trump. Ai nuk arriti t’i mbante të gjitha premtimet, pasi u bllokua në të gjitha shkallët e Kongresit, por, gjithësesi, ai hyri dhe doli nga Shtëpia e Bardhë pa asnjë skandal. Shpesh, në lidership, modeli i ndershmërisë është edhe modeli më i lartë që u lë brezave, dhe ky është lidershipi me karakter. Nga ana tjetër, vetë zgjedhja e Barak Hysen Obamës, qe një sfidë për supermacinë e bardhë, dhe ky qe një tjetër factor që shpuri në prodhimin dhe prurjen e fenomenit Trump në Amerikë. Obama ishte një dukuri që duhej t’i vinte Amerikës, ndërsa Trump-i qe një aventurë që për pak sa nuk e shpuri Ameriken ne stepat e Rusise, duke vënë në pikëpyetje qëndrushmërinë e demokracisë amerikane.
Bideni pastaj, po gjen një Amerikë të ndarë në mes, gati në prag të një lufte civile. Ai ka premtuar se do bashkojë vendin dhe e sheh veten si president të gjithëve. Vendin e ka pllakosur një recesion i thelle ekonomik, njerëzit kanë humbur vendet e punës, virusi i pakontrolluar ka marrë deri më tani rreth 400.000 jete amerikane dhe çdo ditë numërohen mijra të infektuar. Pjesa më e madhe e bizeneseve të vogla jane ne kolaps, ndërkohë që klasa e mesme gati po shuhet dhe kapitalizmit po ia zë vendin monopolizmi.
Biden-i është një politikan karriere, qe ka ka ndikuar në ndërtimin e asaj Amerike qe e kemi dashur, adhuruar dhe në të cilën kemi emigruar. Të kërkosh të ndryshosh themelet e Amerikës, është sikur të mohosh pse ke ardhur në të, apo pse ke jetuar në të deri më tani. Biden-i është një lider me karakter, që di të thotë “me fal” kur gabon. Trump-i kurrë nuk ka kërkuar falje, ose ne nuk i kemi dëgjuar kurrë liderët tanë të kërkojne falje. Kërkimi i faljes, dhe pranimi i gabimit, është një ndër aktet më fisnike dhe më me karakter të liderit, pasi, si të gjithë vdekatarët, edhe lideri nuk është i pagabueshëm.
Jam e bindur që Biden-i do arrijë ta shërojë këte Amerikë që kemi sot. Nga ana tjetër, ne shqiptaret duhet t’i jemi shumë mirënjohës atij, sidomos për mbrojtjen që i ka bërë çështjes së Kosovës. Është fat i madh që tashmë në Shtëpinë e Bardhë do jetë një mik i madh i shqiptareve.
Doja të shtoja këtu edhe një sukses të shumëpritur të shoqërisë amerikane. Më në fund, në /Shtëpinë e Bardhë do të shohim një zonjë ne rolin e zv/presidentes, zonjën Kamala Harris. Janë thyer tashmë barrierat edhe në një shoqeri maskiliste siç është ajo amerikane. Pamë që “glass ceiling” ra, dhe një zonjë arriti të hyjë deri Shtëpinë e Bardhë. Kjo i jep shumë shpresë lidershipit të femrës kudo në botë, përfshi edhe Shqipërinë. Sikur e citoj edhe në liber, femra ka të lindura shumë cilësi positive, që e ndihmojnë në lidershipin e suksesshem. Për shembull, ajo trashëgon arketipin e kujdesit, sakrificës dhe dashurisë pa kushte, tipare këto nga roli i saj i shenjtë i të qenurit nëne; femra shfaq dhe mbart empati dhe e ka shume të lartë inteligjencën emocionale, qe njihet edhe si sine qua e lidershipit; femra ka qenë tërë kohës në shërbim pa kushte. Ajo është dhënësja e përjeteshme, dhe kjo e bën atë një lider-shërbëtor shumë të arrirë; femra ështe dëgjuese shumë e mirë. Ajo është pranuese dhe jo përjashtuese. Këto, si dhe shumë tipare të tjera të fituara, e bëjnë padyshim femrën një lider shumë të sukseshëm për aq kohë sa ajo, sigurisht, do punojë të ndërtojë edhe karakterin e fortë, që është sikur e kemi thënë, baza e suksesit në lideriship. Kam mendimin se Biden -Harris do jene një suskes për politikën amerikane dhe atë botërore.
Intervistoi Albana Nexhipi Lekaj
©MetropolPost.al