Në takimin e tij të fundit të udhëtimit apostolik, në Azi dhe Oqeani, Papa Françesku u takua me të rinjtë e Singaporit. Ai i ftoi ata të “marrin rreziqe” dhe “të dalin nga zonat e tyre të rehatisë”, sepse “në të kundërt bëhen barkmëdhenj”.
Takimi u zhvillua në Kolegjin Katolik Junior, me temën ndërfetare në sfond. Të rinjtë e besimeve të ndryshme, e pritën me shumë ngrohtësi Papën, i cili vendosi të hiqte dorë nga fjalimi i tij me shkrim, për t’iu përgjigjur disa pyetjeve që të rinjtë i bënë drejtpërdrejtë.
Papa Françesku u shpjegoi të rinjëve se “duhet të kenë guximin për të ndërtuar, për të ecur përpara, për të lënë zonat e tyre të rehatshme”. Sepse “një i ri që zgjedh të jetojë gjithmonë jetën e tij në një mënyrë komode, është një i ri që dhjamoset”. “Nuk duhet shendoshur barku, por mendja”, tha Papa, “prandaj u them të rinjve të rrezikojnë, dilni jashtë, mos kini frikë. Frika është diktatoriale. E ndenjurat në vend, që të paralizon”. Dhe, mbi të gjitha, “një i ri që nuk rrezikon, që ka frikë të bëjë gabime, është si plak. Apo jo? “.
Mes të tjerave Papa sqaroi se të gjitha fetë, sado të ndryshme të jenë të shpien tek Zoti: “Ato janë si gjuhë të ndryshme, idioma të ndryshme, për të mbërritur atje. Por Zoti është Zoti për të gjithë. Dhe ashtu si Zoti është Zoti për të gjithë, edhe ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë”, shpjegoi Papa. “Dhe kjo është arsyeja pse dialogu është i nevojshëm. Dialog mes feve por edhe dialog mes njerëzve e sidomos mes të rinjëve, për parandalimin dhe shmangien e dukurisë së bullizmit dhe në veçanti atë ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ashtu siç kemi aftësitë tona të kufizuara, ne duhet të respektojmë aftësitë e kufizuara të të tjerëve dhe kjo është e rëndësishme,” shpjegoi ai. Dhe kjo është “sepse kapërcimi i këtyre gjërave të ndihmon atë që bën: dialogun ndërfetar. I cili ndërtohet me respekt për të tjerët, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Një dialog që diktaturat përpiqen ta parandalojnë. Nëse dialogoni kur jeni i ri, do të dialogoni më shumë kur të rriteni, si të rritur, do të dialogoni si qytetarë, si politikanë. Dhe unë do të doja t’ju them diçka historike: çdo diktaturë në histori, gjëja e parë që bën është ndërprerja e dialogut”, u shpreh mes të tjerave Papa.