Ka ngjallur reagime të forta në publik, situata e gjykimit të Luizit mbrëmjen e djeshme, i cili, për hir të izolimit që i bëri Kiarës mes lavamanëve të tualetit në shtëpinë e BBV-së, u vu me shpatulla pas muri prej ‘feministeve’ të shtëpisë e të studios, për dhunën e ushtruar ndaj të dashurës.
Por çfarë ndodhi?
Në kontekstin e lojës, Vëllai i Madh i cakton një detyrë Ermiona Lekbellos për ta zhvilluar në fshehtësi, ku gocat nuk duhej t’u flisnin djemëve. Teksa e kupton situatën e lojës bashkë me djemtë e tjerë, Luizi bllokon Kiarën (lexo, njeriun që kishte më tepër konfidencë), me trup midis lavamanëve të tualetit dhe përpiqet ta mbajë aty, derisa ajo t’i tregojë.
E joshur për të qenë po aq lojtare sa Luizi (meqë një prime më parë i thanë që Luizi do të të nxjerrë nga loja, se do të shkojë vetëm në finale, dhe e akuzuar vazhdimisht se nuk është aktive në lojë dhe merr vlerë vetëm prej Luizit), për t’i treguar se është një lojtare po aq e fortë sa ai e madje edhe më e fortë se ai, aq sa mund ta skualifikojë krejtësisht nga loja, Kiara e shfrytëzon situatën dhe bën rolin e të dashurës së dhunuar, duke u qarë tek produksioni, se ai e kishte penguar fizikisht të vazhdonte lojën, duke goditur kështu pas shpine e në mënyrë të ulët, njeriun që thotë se do.
Teksa gjatë gjykimit të situatës në prime, Olta, Dea, Nita dhe Kejsi, i fërkonin shpatullat Kiarës, duke i thënë se kjo që po bënte ishte gjë shumë e mirë, e se po i tregonte Luizit ku i kishte kufijtë në marrëdhënien e tyre, (duke dëshmuar qartazi në sytë e publikut naivitetin e Kiarës), Eva Alikaj dhe Ermiona Lekbello, deklaruan dhe mbrojtën atë që në fakt mbështeste edhe shumica e publikut jashtë, se veprimi i Luizit nuk ishte dhunë ndaj të dashurës, por reagim në kontekstin e lojës.
E ngarkuar me gjasa prej akuzës se mbështeti dhunën, Ermiona e ka vazhduar diskutimin me Kiarën edhe pas prime, duke vijuar t’i thotë asaj të vërtetat troç, se gjykimi i Luizit kishte qenë i shtirë e se tërë vajzat ia kishin fërkuar shpatullat Kiarës e ia kishin sharë Luizin, në mënyrë që ta përçanin çiftin e të merrnin kredite për vete, të vërteta që me sa duket nuk i kanë pëlqyer dhe aq produksionit, sidomos ato që lidheshin me feminizmin, duke shpënë kështu në skualifikimin ditën e sotme Lekbellos nga loja, me pretekstin e gjuhës së rëndë të përdorur në shtëpi.
Nga sa duket Kiara e ka ndarë mendjen të shkojë në finale, e me sa duket produksioni ia ka mbushur mendjen se kjo është mënyra e vetme me të cilën mund të mbërrijë atje, vetëm se me këtë kthesë që morën ngjarjet dhe me mënyrën se si ia vuri kundër tërë produksionin njeriut që do, shanset janë që ajo të dalë shumë shpejt nga shtëpia, e madje edhe me vulën e njeriut të pabesë mbi shpinë.
Ndërkaq produksioni I BBV-së po tregon se të vërtetat e thëna troç nuk i pëlqejnë dhe aq, e ashtu siç zgjodhi të bllokonte komentet e njerëzve nëpër rrjetet e veta sociale (që ishin dëshmitë e vetme të transparencës në atë emison), ka zgjedhur të skualifikojë edhe ata që nuk i vijnë pas midesë, për tema që fare mirë mund të ngriheshin për diskutim edhe gjëkundi tjetër.
Nga lëvizjet që po bën, duket se produksioni i BBV-së është i prirur të manipulojë të vërtetën e opinionit publik, dhe të shesë për të vërtetë atë që dëshiron apo synon vetë.
Thënë kjo, pavarësisht se kujt vendos t’ia japë çmimin produksioni, pëlqyeshmëria e publikut pak po e sigurt nuk mund të manipulohet, e se në finale fare, të tërë ata që po e përgatisin apo orientojnë BBV-në në këto hulli, do të marrin edhe risqet e veta për çdo lëvizje.
Ndërkaq, me kartën e dhunës ndaj grave nuk duhet abuzuar shumë duke e përdorur vend e pavend, se rrezikon ta zhvlerësosh. Se ca është e vështirë të dalë në pah ajo për hir të konteksteve sociale ku shfaqet, e ca e zhvlerësojnë produksionet duke ia mveshur situatave të kota si kjo e Kiarës me Luizin dhe përfundimi merret vesh, do kthet në diskriminim pozitiv.
Fakt është që loja e BB-së u shpik për të mësuar disa të vërteta mbi natyrën njerëzore që shfaqeshin vetëm në ambienteve private, aty ku kamerat nuk depërtonin. Por me këto situata të sajuara, produksoni i BBV-së kësaj radhe, rrezikon t’ia fshijë fare edhe atë dozë vërtetësie, që mund të gëzonte ky format në kontekstin shqiptar.