Komunikata që shpall ndarjen e Karlit me Dianën mban datën 9 dhjetor, ditë kur kryeministri John Major doli përpara vendit dhe njoftoi “me keqardhje, se princi dhe princesha e Galesit kanë vendosur të ndahen”. Bashkë me të, mbërriti edhe komunikata nga Pallati Buckingham: “Mbretëresha dhe duka i Edimburgut, edhe pse të trishtuar, i kuptojnë vështirësitë që i shpunë ata në këtë vendim. Me trishtim të madh, kanë rënë dakord që marrëdhënia e tyre [e Karlit dhe e Dianës], mund të jetë më e mirë nëse rrojnë të ndarë. E duan ende njëri-tjetrin dhe e mbështesin, po ashtu reciprok kanë edhe qëllimin për t’i kryer detyrat publike me të njëjtin përkushtim si më parë”. Populli britanik është mbledhur përpara ekranit të televizorit, por jo Madhëria e Saj, e cila përhumbet nëpër mjegullat e Norfolkut bashkë me korgët. Si gjithnjë, kur është e shqetësuar, Elizabeta vesh xhaketën “Burberry”, shtrëngon fort shamizën foulard nën mjekër dhe vë në punë atë që bashkëshorti i saj e ka quajtur “dog mechanism”: merr qentë dhe del. Kthehet dhe del sërisht. Duke kërkuar paqe nën shiun e hollë e të papushimtë.
Në vitet që pasojnë ndarjen, mbretëresha punon për të mbajtur së bashku copëzat e një familjeje të thërrmuar. Diana vazhdon të rrojë në Pallatin Kensington (kurse Karlit i japin shtëpinë e Hajgrovit, në Glouçestershajër dhe Clarence House). Por mbretëresha këmbëgul që ajo të vazhdojë të kryejë detyrat e saj zyrtare, për të ruajtur imazhin e nënës së trashëgimtarit të dytë të fronit. Veç kësaj, mendon edhe problemet që mund të sillte divorci mbi vendin dhe monarkinë. Sjellja prej struci në “Downing Street” dhe Pallatin Buckingham nuk hynte dhe aq në punë… Nuk nevojitej të ishe konstitucionalist, për të kuptuar që Kisha zor se ia miratonte kurorëzimin një të divorcuari. Lamtumira përfundimtare Dianës, mund të sillte për Karlin lamtumirën ndaj fronit, gjë që Elizabeta nuk mund të mos e llogariste. Mëkat që një mbrëmje, ulur përpara televizorit, gjendet duke e dëgjuar të renë Diana, tek e zbraz sërish thesin, e kësaj radhe drejtëpërsëdrejti në televizionin kombëtar. Kjo me Martin Bashir-in është intervista e parë e princeshës Diana pas ndarjes dhe e para krejt e vetme që prej kohës kur ishte martuar me Karlin. E sintonizuar tek BBC-ja, së bashku me 23 milionë njerëz të tjerë, mbretëresha ngrin përpara sinqeritetit me të cilin Lady D rrëfen çdo sekret: që nga xhelozia e saj për Kamilën, tek ajo e Karlit, për interesin që shtypi tregon ndaj saj. “Doja dëshpërimisht që martesa ime të funksiononte, e doja burrin tim dhe doja të ndaja gjithçka me të, mendoja se ishim një skuadër e mirë”, rrëfente ajo sy ulur, përpara se të pranonte se kishte vuajtur nga bulimia dhe depresioni paslindjes: “Kam marrë shumë kura, por e dija se ajo për të cilën kisha nevojë, ishte hapësira dhe koha për t’u përshtatur me rolet e ndryshme (princeshë, grua, nënë). E dija që mund t’ia dilja, por kisha nevojë që njerëzit të ishin të duruar dhe të më krijonin hapësirë ta bëja”. Diana pranon që i ka lejuar miqtë e saj të flasin me Andrew Morton, e se kishte kryer akte të dhunshme ndaj vetes, për të nxitur ndonjë reagim tek Karli, “i dashuruar pas një tjetër gruaje”. “Ishim tre në këtë martesë, kështu që ishte paksa ngushtë”.
Deri këtu, keqardhja për veten e qortueshme, por sërish e durueshme prej mbretëreshës. Por menjëherë më pas, Diana thotë se Karli nuk mund të ishte njeriu i duhur të cilit mund t’i jepej kurora: “Si princ i Uellsit ka shumë liri. Të bërit mbret për të, do jetë tepër mbytëse. E njoh, dhe mendoj se Top job – siç e quaj unë – do t’i vendoste kufizime të mëdha. Nuk e di nëse do të përshtatej dot”. Ish mbreteresha e ardhshme, po i jepte vendit imazhin e një trashëgimtari të papërgatitur e madje edhe të painteresuar për të mbretëruar!
Që nga ky moment, hendeku mes Dianës dhe mbretëreshës Elizabetë bëhet i pakapërcyeshëm.
Përgjatë dy viteve të fundit, pas skandalit të pagëzuar si “Camilla Gate”, shpërthyer të nesërmen e publikimit të përgjimeve ku princi, teksa fliste në telefon me ”Rottweilerin” (kështu e quante gjithnjë Diana, Kamilën), i thoshte: “Do doja të isha Tampax-i yt”, Pallati kishte punuar pa pushim për rehabilitimin e imazhit të tij përpara syve të nënshtetasve.
Fjalët e Dianës nuk bëjnë gjë tjetër përveçse i shtojnë disa konsiderata të tjera, një debati ku është i përfshirë i gjithë vendi; kishte nga ata që sugjeronin qysh atëherë, mundësinë e kapërcimit të një brezi në favor të të riut Uilliam. Diana nuk shpreson gjë tjetër dhe qysh tani shfaqet si nëna mbretëreshë. Por teksa ajo u dorëzon miliona spektatorëve imazhin e një princi të pandjeshëm, egoist e të paftë, i jep edhe një goditje të ulët direkte Madhërisë së Saj: delegjitimimi i trashëgimtarit të fronit, do të thoshte të vije në dyshim aftësitë vendimmarrëse të monarkes dhe kriterin e pasardhësit mbi të cilin mbështetej vetë monarkia. Diana e di që e ka hedhur hapin më të madh se këmba. Nuk i duhet aspak ta hapë letrën e vulosur me dyll, për të kuptuar se kush është ia dërgon. Madhëria e Saj i imponon divorcin nga Karli. Ajo reagon me një krizë histerie, që maxhordomi i saj personal Paul Burrell nuk arrin ta qetësojë dot. E tërbuar, sepse pretendon që vetëm ajo mund të vendosë të ndahet apo jo nga i shoqi. Më 28 gusht 1996, pas katër vjet ndarjeje, martesa e princërve të Galesit përfundon. Marrëveshja është në favor të Dianës: i jepen shumë, shumë të holla (një shifër që vërtitej diku tek shtatëmbëdhjetë milionë stërlina, në këmbim të një marrëveshje që duhej të mbetej e fshehtë), por jo titulli i Madhërisë Mbretërore. “Do të ta kthej unë, kur të bëhem mbret”, i thotë butësisht katërmbëdhjetë vjeçari William, teksa i zgjat shamizat prej letre poshtë derës së banjos, ku ajo mbytet si përherë në lotë. Ai që këmbëngul që asaj t’i hiqej ky titull është Karli, dhe vetëm për hir të këmbënguljes së tij, mbretëresha e merr një vendim të tillë: “Ishte viti më i keq i jetës sime”, i rrëfen Diana Ingrid Sewart-it.
Në kanë mundur të flasin pas letrës së divorcit Diana dhe Elizabeta, kjo nuk dihet dhe është e padrejtë bëhen pandehma mbi këtë. Gjithësesi, e sigurt është që marrëdhënia e tyre nuk u mbyll as pas përplasjes së Mercedesit të princeshës së Galesit, pas shtyllës së trembëdhjetë të urës pariziene të Almës, sepse vdekja e saj e vuri Elizabetën në bankën e të akuzuarëve. Telefonata nga Parisi i mbërriti Madhërisë së Saj në dy të natës së 31 gushtit 1997: Diana është plagosur rëndë, për shkak të përplasjes së makinës ku udhëtonte bashkë me mikun e saj Dodi Al-Fayed, që kishte vdekur në vend. “Dikush do t’u ketë vajosur frenat”, komenton mbretëresha, përpara se të kuptojë që situata është shumë më e rëndë nga sa e mendon. Dikush thotë që këkoi t’i merreshin menjëherë xhevahirët. Lajmi i mbërriti edhe Karlit, dhe të dy gjenden të mbështjellë me rrobat e gjumit nëpër korridoret e Balmoralit; ai dyllë i verdhë, ajo e përfshirë nga paniku. Nisin orët e ankthit. Dickie Arbiter, asokohe zëdhënës i mbretëreshës, rrëfen: “Maxhorxhomi i saj [i Dianës], Paul Burrell vazhdonte të vraponte duke u ngashëryer nga njëri cep i apartamentit në Pallatin Kensington, në tjetrin. Pastaj, pas tri orëve, telefoni ra sërish. Ishte Penny Russell-Smith, zëdhënësi i Pallatit. ‘Vdiq’. Kaq tha”. Një telefonatë e tillë i mbërrin edhe princit, duke e gozhduar me realitetin tragjik: “Zotëri, më vjen shumë keq t’ju them, se në telefon është ambasadori. Princesha vdiq pak minuta më parë...
- © Pjesa e mesipërme është shkëputur nga libri “Elizabeta dhe të tjerat, dhjetë gra për të rrëfyer mbretëreshën e vërtetë”, i autores Eva Grippa, botuar nga Botimet Jozef, përkthyer nga Albana Nexhipi Lekaj. Ndalohet publikimi pa cituar botuesin.