Një ngjarje e rrallë është shënuar për Iranin më 25 gusht të 2022-it, kur gratë iraniane kanë mundur të jenë të pranishme në një ndeshje futbolli të kampionatit kombëtar Esteghlal-Mes Kerman, në stadiumin Azadi të Teheranit.
Një gjë e tillë nuk ndodhte në këtë vend që prej revolucionit islamik të 1979-s. Si edhe sqaron BBC-ja, edhe pse nuk kishte asnjë ndalim zyrtar për gratë dhe pjesëmarrjen e tyre nëpër evenimentet sportive, por ato merrnin pjesë rrallë, sepse u ndalohej hyrja.
Vendimi erdhi pasi FIFA u nisi një letër autoriteteve iraniane, duke u kërkuar ta largonin këtë pengesë dhe t’i lejonin gratë të hynin nëpër stadium, sepse përndryshe dhunonin statutet e futbollit ndërkombëtar.
Këtë të enjte, tifozet u vendosën në një tribunë më vete dhe hynë në stadium përmes një tjetër hyrjeje, mënjanë burrave.