
Shteti zbuloi të hënën se në administratë s’ka meritokraci. Lajmi i mirë: tani do ta ketë me certifikatë. Lajmi tjetër: certifikata skadon pas katër vjetësh.
Të hënën në drekë, ndërsa studentët marshonin nëpër Tiranë me një kërkesë që shkruhet me një fjalë të vetme, Kryeministri doli para kamerës me një zbulim: “Flitet për meritokraci, ka shumë mangësi dhe thellësisht ndjesia është që s’ka meritokraci.”
Ndjesia. Pas trembëdhjetë vjetësh në krye të kësaj administrate, njeriu që e drejton ka një ndjesi. Si vëzhguesi i OSBE-së që vjen të monitorojë vendin e vet: konstaton gjithçka, nuk përgjigjet për asgjë.

Reforma u pagëzua “Shkalla e Meritës”. Para saj kishim “Besën”, pastaj “Pasqyrën”. Reformat te ne tashmë emërtohen si parfumet: një fjalë e vetme, shumë premtim dhe një aromë që mban deri në konferencën e radhës për shtyp.
Merita, si kosi
Ja si funksionon. Kush do të hyjë në administratë jep një provim kombëtar unik, “sipas modelit të Cambridge”, të organizuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, po ajo që bën Maturën. Kush e kalon, merr një certifikatë. Certifikata vlen katër vjet. Pas katër vjetësh merita jote skadon, si kosi në raftin e marketit, dhe duhet të provosh sërish se je i zoti, se ndërkohë mund të jesh prishur.
Katër vjet. Saktësisht sa një mandat. Rastësi, me siguri.
Vetë Kryeministri e sqaroi me një sinqeritet që i bën nder: “Certifikata nuk të jep domosdoshmërisht punë, por vlen.” Vlen si bileta e llotarisë: nuk fiton, por ke të drejtë të shpresosh. Deri në datën e skadencës.
Sa për Cambridge-in: çdo reformë shqiptare ka nevojë për një fjalë të huaj, që njerëzit të mos pyesin më tej, dhe këtë herë shorti i ra Cambridge-it. Se ç’lidhje ka Cambridge-i me sportelin e gjendjes civile, nuk e dimë ende, por tingëllon mirë. Dhe nëse provimi që kanë parasysh është ai që njohim të gjithë, ai i anglishtes, atëherë të paktën nëpunësit do të dalin me një aftësi vërtet të dobishme: do të dinë ta shkruajnë CV-në për jashtë.
E vetmja që hyri pa konkurs
Në ndihmë, natyrisht, është thirrur edhe inteligjenca artificiale. Diella, sipas Kryeministrit, tani “është aty aktivisht” për “të marrë një pjesë të punës”. Pra kemi një ministre me inteligjencë artificiale që merr punën, dhe një administratë me inteligjencë natyrale që merr provimin.
Vini re një hollësi. E vetmja punonjëse e shtetit shqiptar që ka hyrë pa konkurs, pa testim kombëtar dhe pa certifikatë katërvjeçare është pikërisht ajo. Shkalla e Meritës, me sa duket, vlen vetëm për ata që kanë kartë identiteti.
Kush e emëroi Colin?
Pastaj vjen pjesa e drejtuesve. Dhjetë ditë para prezantimit, qindra drejtorë kaluan në një “proces vlerësimi”. Disa dhanë dorëheqjen. Kryeministri siguroi se nuk bëhet fjalë për ndërrim emrash, “hiq Colin dhe sill Lolin”. Me siguri. Por dikush duhet ta bëjë pyetjen e bezdisshme: kush e ka emëruar Colin? Se Coli nuk ka hyrë nga dritarja. Coli ka hyrë nga dera, dhe dera, për trembëdhjetë vjet, ka pasur vetëm një çelës.
Kryeministri e vuri gishtin saktë mbi plagën: nuk duhet të ecë përpara ai që “i ka krahët e ngrohtë”, por ai që punon mirë. Diagnoza është e saktë. Vetëm se e shqipton mjeku që e ka mbajtur ngrohjen ndezur për tre mandate rresht.
Dhe këtu është pjesa më e bukur. Merita në administratë nuk u shpik të hënën. Është në ligj që nga viti 2013, në ligjin për nëpunësin civil: konkurse, komisione, testime, vlerësime periodike, gjithçka. Ligji dhe qeveria janë bashkëmoshatarë. Lindën të dy në 2013 dhe mbushën të dy trembëdhjetë vjeç. Njëri u rrit. Tjetri qëndroi në sirtar, duke pritur certifikatën.
Për ta zbatuar më në fund, krijohet “për herë të parë” një Ministri e Administratës Publike. Pra, kura për administratën e fryrë është edhe pak administratë. Një ministri që do të merret me ministritë. Nëse nuk funksionon, s’ka gjë: bëjmë një ministri për ministrinë e ministrive. Shkalla ka shkallë.
Porta e hapur, në drejtimin tjetër
Në dhjetor hapet platforma “Porta e hapur”. Secili krijon profilin e vet në puna.gov.al, regjistron talentin dhe njoftohet “në kohë reale” për vendet e lira. E hapur, u tha, edhe për diasporën. Është prekëse. Shteti ndërton një regjistër kombëtar talentesh pikërisht kur regjistri më i saktë i talenteve shqiptare mbahet prej vitesh në Rinas, te terminali i nisjeve. Tani ata mund të regjistrohen edhe nga Mynihu, për të parë në kohë reale vendet e punës që lanë pas.
Porta ka qenë gjithmonë e hapur. Thjesht njerëzit e kanë përdorur në drejtimin tjetër.
Dhe gjithë kjo, të hënën, ndërsa studentët marshonin. Në ditën kur mijëra të rinj dalin në rrugë për të kërkuar dorëheqje, shteti u përgjigjet me një provim. Ata kërkojnë llogari, ai u ofron certifikatë. Është si të trokasësh te komshiu për t’i thënë se po i digjet shtëpia, dhe ai të hapë derën e të pyesë: “Ke sjellë CV?”
Testi model (krejtësisht i imagjinuar)
Meqë provimi kombëtar ende nuk është publikuar, po i vij në ndihmë Qendrës së Shërbimeve Arsimore me disa pyetje model. Të imagjinuara, natyrisht. Si gjithçka tjetër deri më sot.
- Merita në administratën shqiptare: a) ekziston me ligj që nga 2013; b) u zbulua të hënën; c) skadon pas katër vjetësh; d) të gjitha bashkë.
- Një drejtor u emërua në 2015 pa konkurs dhe u largua në 2026 pas një vlerësimi. Kush e ka fajin? a) drejtori; b) vlerësimi; c) viti 2015; d) pyetja është jashtë programit.
- “I kam krahët e ngrohtë” është: a) shprehje popullore; b) kriter punësimi; c) diagnozë; d) politikë e burimeve njerëzore 2013–2026.
- Diella hyri në administratë përmes: a) provimit kombëtar; b) certifikatës katërvjeçare; c) Portës së hapur; d) prizës.
- Certifikata skadon pas katër vjetësh. Qeveria gjithashtu. Cila rinovohet më lehtë? (Pyetje e hapur. Përgjigja vlerësohet “në mënyrë sistemike”, jo nga një drejtues.)
Mos më keqkuptoni. Dua ta besoj. Dua të besoj se një provim i vetëm, i ndershëm, para një kompjuteri, do t’ia mbyllë derën telefonatës që ka vendosur për çdo punësim në këtë vend për tre dekada. Dua të besoj se një certifikatë e vlefshme katër vjet do të vlejë më shumë se një kartë anëtarësie e vlefshme përjetë.
Vetë Kryeministri e tha: “E di që ka skepticizëm.” E di. Skepticizmi është i vetmi sektor i administratës shqiptare që ka funksionuar gjithmonë me meritë. Pa konkurs, pa certifikatë, pa Cambridge.
Dhe nëse reforma funksionon vërtet, do ta pranoj publikisht. Me shkrim. Me certifikatë. Të vlefshme katër vjet.

