E shtunë, 31 Tetor, 2026
Arsimi

UET/ Prezantohet “FrameWatch Albania”, prototipi i një platformë online për monitorimin dhe analizën e lajmit

· 6 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Në një peizazh mediatik gjithnjë e më kaotik, është e vështirë të kuptohet plotësisht një ngjarje. Nuk mungon informacioni, por ai është i shpërndarë dhe shpesh përcillet përmes nuancave, qëndrimeve dhe paragjykimeve. Lexuesi duhet të konsultohet me disa media njëkohësisht për të marrë informacionin e saktë dhe të plotë.

Së shpejti, lexuesi shqiptar do të ketë mundësinë të informohet të kuptojë qartë një lajm përmes FrameWatch Albania, një platformë online për monitorimin dhe analizën e framing-ut dhe narrativave mediatike. Platforma synon të krijojë një hapësirë ku lajmet për të njëjtën ngjarje analizohen në mënyrë cilësore dhe sasiore, duke evidentuar elemente të tillë si trajtimi, këndvështrimet, hapësira dhe rëndësia që u jepen ngjarjeve të caktuara.

Prototipi i kësaj platforme u prezantua gjatë workshop-it me temë “Si dhe sa e mbulojnë mediat një ngjarje?”, të organizuar në Universitetin Europian të Tiranës, me të pranishëm ekspertë të medias dhe IT-së, si dhe studentë të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Departamentit të Arteve të Aplikuara dhe atyre të Departamentit të Teknologjisë dhe Informatikës.

Mobileri

FrameWatch Albania është projekt mediatik i Diturium Media Lab, në partneritet me Start Up Albania, READ, MetropolPost.al, AMA dhe ISA, i cili ndërthur edukimin mediatik, kërkimin dhe teknologjinë. Projekti do t’u japë studentëve mundësinë të punojnë me një produkt konkret dhe të përfitojnë përvojë praktike në analizën dhe prodhimin e përmbajtjes mediatike.

Aktualisht, ndodhet në fazën e pilotimit dhe workshop-i me studentët shërbeu për testimin, vlerësimin dhe përmirësimin e funksionaliteteve të platformës përpara finalizimit. Në fazën tjetër, studentët do të punojnë me ekspertët e medias për të bërë njohjen e thelluar të mjedisit mediatik shqiptar, evidentimin e lajmeve, krahasimin dhe analizimin e tyre.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pedagogëve dhe studentëve të programeve të ndryshme të studimit për realizimin e këtyre projekteve, të cilat i aftësojnë profesionalisht dhe i ndihmojnë të krijojnë portofolët e parë për të hyrë sa më shpejt dhe të përgatitur në tregun e punës.

“Studentët e Komunikimit, ata të IT-së dhe Grafik Dizajnit dhe Klubeve Studentore janë angazhuar prej kohësh në këto projekte, nën mentorimin e pedagogëve që drejtojnë këto klube. Ata e kanë bërë për të zhvilluar pasionet e tyre, por vlerësimi për angazhimin e tyre do të integrohet në projektet akademike”, theksoi dekania.

Sa i përket përfshirjes së studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në FrameWatch Albania, dekania Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi tha se ata janë ndarë në tri grupe pune, ku secili prej tyre do të vlerësojë funksionalitetin e platformës, analizën e të dhënave dhe sigurinë e saj.

Programuesi i BalkanWeb, Rezart Bozo, prezantoi funksionimin e prototipit dhe procesin e analizimit të përmbajtjes mediatike. Ajo mbledh lajme nga portale të ndryshme dhe i organizon ato për analizë e krahasim, duke përfshirë elemente si vëllimi i mbulimit, shpërndarja sipas medias, shpejtësia e raportimit dhe këndvështrimet editoriale.

Një komponent i rëndësishëm i sistemit është integrimi i inteligjencës artificiale, e cila asiston në identifikimin e narrativave, tonit dhe evidencave të përdorura në artikuj. Agjenti i platformës mbledh lajme nga mediat e përzgjedhura çdo dy orë, ndërsa analizat i nënshtrohen kontrollit njerëzor përpara miratimit dhe publikimit.

Platforma parashikon katër role kryesore përdoruesish: studentin, ekspertin, redaktorin dhe studiuesin. Studentët do të angazhohen në përgatitjen e analizave, të cilat më pas verifikohen nga ekspertët dhe kalojnë për kontroll editorial përpara publikimit. Ndërsa studiuesit do të kenë mundësi të pavarur për të shqyrtuar artikujt, për të realizuar krahasime dhe për të publikuar analizat e tyre. Në pjesën e dedikuar për lexuesit, FrameWatch Albania do të ofrojë raporte krahasuese, analiza të publikuara, informacione mbi metodologjinë dhe kufizimet e saj, si dhe interpretime të shoqëruara me burime dhe kontekst.

Vlerësime për prototipin ndanë edhe profesionistët e medias të pranishëm në workshop. Adi Shkëmbi, editor online, e cilësoi risi platformën për mjedisin mediatik shqiptar dhe mjaft premtuese, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në zhvillimin e mëtejshëm të saj, përmes detyrave konkrete dhe bashkëpunimit me ekipin teknik dhe editorial.

Editorja dhe botuesja e MetropolPost.al, Albana Nexhipi Lekaj, vlerësoi mundësinë që platforma u krijon studentëve për t’u përfshirë në një proces të ngjashëm me punën e një redaksie online, ku ata mund të përgatisin përmbajtje dhe ta kalojnë atë nëpër proceset e verifikimit dhe miratimit editorial.

Përveç zhvillimit të platformës, workshop-i u ndal edhe te dy projektet e tjera të Diturium Media Lab, revista “UET Chronichles” dhe UET Cast, ku studentët kanë kontribuar vazhdimisht përmes njohurive dhe fushës së formimit.

Paneli i dytë i workshop-it u ndal te puna me revistën e cila ndodhet në fazën përfundimtare të editimit dhe përgatitjes për botim. Studentët e programeve Komunikim, Grafik-Dizajn dhe IT, pjesë e Klubit Studentor të Komunikimit, kanë punuar prej muajsh, me mbështetjen e mentores Erisela Marko dhe Dekanit të Studentëve, Kristi Bello.

Studentët ndanë përvojën e tyre për përgatitjen e revistës, nga ideja fillestare e sjelljes së një mediumi të tillë që do të pasqyrojë aktivitetet që kanë kryefjalë studentët, te paraqitja e jetës studentore, duke i lënë hapësirë mendimit dhe kreativitetit të tyre. Ata kanë punuar gjithashtu me çdo element përbërës të revistës, nga krijimi i logos, elementet grafike, dizajni e më tej faqosja e saj.

Dekania Budini tha se ky workshop shërben si një mundësi për të vlerësuar punën e realizuar dhe për të identifikuar elementet që mund të përmirësohen në edicionin e dytë të revistës.

Paneli i tretë dhe i fundit i workshop-it kishte në qendër bashkëpunimin ndërdisiplinor të studentëve gjatë zhvillimit të tre projekteve të Diturium Media Lab: FrameWatch Albania, “UET Chronicles” dhe UET Cast. Ata ndanë përvojën e tyre në të gjithë procesin, nga idetë te zgjidhja dhe realizimi i produktit, duke ndërthurur njohuritë në komunikim, art dhe teknologji. U fol për sfidat e këtij rrugëtimi, përfitimet që patën nga eksplorimi i këtyre fushave por edhe nga puna në grup, si dhe ndanë ide për projekte dhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top