
Kryeministri i vendit, dorëheqja e të cilit vajti kohë që kërkohet prej një pjese të shqiptare, e së fundmi edhe prej studentëve, ka reaguar si gjithnjë me një postim në fejsbuk për djaloshin Erion VIshkulli, të cilit një plumb gome i verboi njërin sy. Sipas asaj që shkruan kreu i qeverisë, syrin të riut ia ka nxjerrë tjetër kush, kurse ai po e ndihmon të shërohet në një nga spitalet më të mira të Italisë. Sa më poshtë, shënimi i plotë i kryeqeveritarit Rama.
“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje.
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!

Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur![]()
Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit![]()
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend e ky popull sheh dritë!
Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.
Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”

