E mërkurë, 14 Tetor, 2026
Analiza

Për të gjithë ata që po kërkojnë kauzën e studentëve! Nga Irena Beqiraj

· 4 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Një student mund ta përballojë jetesën në Tiranë vetëm nëse babai i tij zotëron ndonjë kontratë koncesioni, port apo aeroport; nëse është furnizues pa garë i shërbimeve për AKSHI-n apo furnizues me makina a veshje i ushtrisë; nëse zotëron ndonjë kazino; ose nëse është furnizuesi i vetëm në treg për ilaçet kundër ankthit.

Për të gjithë të tjerët, është e pamundur. Kauza e tyre është thjesht një përshkrim i asaj që një shqiptar i zakonshëm, pa pushtet ekonomik a politik, përjeton çdo ditë.

Mobileri

Papunësia është ulur, por prindërve të tyre u duhet të punojnë në dy vende pune për të përballuar privilegjin e blerjes së ushqimeve, një pjesë e të cilave, megjithëse gjenden nëpër raftet e dyqaneve, u ngjajnë xhevahireve të rralla në një ekspozitë muzeale.

Në Shqipëri, një paketim me 10 vezë kushton 4,9 euro, ndërsa në Europë mesatarisht kushton 3 euro.

Një litër qumësht i zakonshëm në Shqipëri kushton 1,9 euro, çmim ky dukshëm më i lartë se mesatarja e tij në Bashkimin Europian.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, kostoja e kombinuar e produkteve të qumështit, mishit dhe vezëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur në 35,6% mbi mesataren e BE-së. Perimet dhe frutat po ashtu janë më të shtrenjta se në BE.

Ndaj, çdo vizitë në supermarket, për një familje me të ardhura mesatare, për një student, është kthyer në një ngjarje të rëndësishme financiare. Si e tillë, çdo dalje për pazar kërkon një racionalizim dhe optimizim radikal.

Ndërkohë, edhe strehimi ka evoluar. Nga një domosdoshmëri bazë, është kthyer në një ëndërr të çmuar, njëlloj si dalja në pension apo arritja e paqes së brendshme. Të rinjtë tanë tani flasin për pronësinë e një shtëpie në të njëjtën mënyrë siç flisnin fshatarët mesjetarë për mundësinë për t’u bërë mbretër. Si froni dikur, edhe banesa sot mund të arrihen ose si trashëgimtarë, ose me ndërhyrje hyjnore.

Ndërsa, nëse një sëmundje në familje zgjat dhe është e vështirë, dhëntë Zoti të mos jetë kështu, më shumë se 43% e familjeve të këtyre studentëve mund të kthehen sa hap e mbyll sytë në familje të varfra, duke i detyruar studentët të lënë shkollën për të ndihmuar familjen.

Pagat, natyrisht, janë rritur, por jo me të njëjtin vrull entuziast siç ka ndodhur me çmimet apo fitimet e një grushti investitorësh të huaj, të cilët, sipas qeverisë, qenkan edhe shumë të ndjeshëm ndaj protestave.

Ndërsa paga mesatare e prindit të një studenti të thjeshtë ecën me ritmin e një burri të moshuar, rritja e çmimeve, e pagave të deputetëve dhe e fitimeve të investitorëve të ndjeshëm është e shpejtë si një atlet profesionist njëzetvjeçar.

Studentët janë të zemëruar nga hipokrizia e deputetëve, të cilët e kanë rrogën tetë herë më të lartë se paga minimale e prindit të tyre (raport ky ndër më të lartët në Europë), por prapë janë të shqetësuar për semaforin dhe shkatërrimin e pronës publike, ndërkohë që kanë votuar paturpësisht për milionat e eurove që kalojnë nga buxheti në xhepat e Ronit.

Hipokrizia, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kanë kthyer jetën e një studenti në Shqipëri në një sprovë gjigante rezistence, ku familjet e tyre gjenden pa mbrojtje përballë rritjes së pakontrolluar të faturave dhe ku «klasa e mesme» nuk është më një kategori sociale, por një referencë historike nostalgjike.

Studentët janë aty sepse problemet e rënda strukturore ekonomike nuk zgjidhen me borde, pasqyra apo programe të dështuara strehimi, por me garantimin e konkurrencës, zvogëlimin e informalitetit, heqjen e monopoleve në zinxhirët e furnizimit dhe spastrimin e qeverisjes nga soji më i korruptuar që prej vitit 1912.

Doni më arsye pse janë studentët aty?

Sepse siç blihet vota blihet nota !
Sepse nuk ekziston meritokracia!
Sepse nuk duan të punojnë gjithë jetën pastrues kamarierë recepsionistë edhe eskortë!

Doni më arsye pse studentët janë aty ?
Sepse kemi dështuar t’u japim një atdhe!

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top