E shtunë, 10 Tetor, 2026
Shëndetësi

STUDIMI/ Ankthi dhe depresioni e çojnë numrin e të prekurve të shëndetit mendor në 1.2 miliardë

· 4 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit


Një rritje e ankthit dhe depresionit ka çuar rastet globale të shëndetit mendor në 1.2 miliardë, duke nxjerrë në pah një barrë në rritje që sistemet shëndetësore nuk janë të përgatitura ta përballojnë.
Sipas një studimi, numri i njerëzve që jetojnë me probleme të shëndetit mendor është pothuajse dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit, i nxitur kryesisht nga rritjet e ndjeshme të ankthit dhe depresionit në mbarë botën.. Analiza, e botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, si pjesë e Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve 2023, vlerëson se në vitin 2023 rreth 1.2 miliardë njerëz jetonin me një gjendje të shëndetit mendor.

Kjo shënon një rritje prej 95% që nga viti 1990. Ndryshimet më të mëdha vihen se për çrregullimin depresiv dhe ato të ankthit, të cilat u rritën me 131% dhe 158% përkatësisht, duke i bërë ato dy gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor në botë.

“Përgjigja ndaj nevojave të shëndetit mendor të popullsisë sonë globale, veçanërisht atyre më të prekshëm, është detyrim, jo një zgjedhje”, shkruanin autorët e studimit. Raporti i përshkruan çrregullimet mendore si sëmundje të përhapura, që shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore dhe humbje të shëndetit afatgjatë.

Mobileri

Sipas autorëve, përtej pasojave personale, sëmundjet mendore prekin edhe familjet, vendet e punës dhe qeveritë, përmes produktivitetit të reduktuar, pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore dhe presionit në rritje mbi sistemet e mirëqenies dhe kujdesit shëndetësor. Jo të gjithë vuajnë njësoj. E ndërsa problemet e shëndetit mendor janë rritur globalisht, barra nuk ndahet në mënyrë të barabartë.

Autorët e studimit kanë raportuar 620 milionë raste të çrregullimeve mendore tek femrat dhe 552 milionë tek meshkujt, megjithëse vunë re se janë bërë pak kërkime për të përcaktuar faktorët që ndikojnë në ndryshimin gjinor në çrregullimet mendore.

“Krahasuar me meshkujt, femrat përjetojnë vetëvlerësim më të ulët, tendencë më të madhe ndaj turpit që lidhet me trupin dhe shkallë më të larta të dhunës në familje dhe abuzimit seksual”, tha raporti.

Faktorë të tjerë që mund të shpjegojnë këtë ndryshim, përfshijnë ndryshimet biologjike – veçanërisht gjatë periudhës peripartum – rritjen e përgjegjësive në karrierë dhe pabarazitë strukturore, siç është diskriminimi gjinor.

Midis grave, depresioni dhe ankthi ishin problemet më të zakonshme. Çrregullimi depresiv i vazhdueshëm, çrregullimi bipolar, anoreksia nervore dhe bulimia nervore ishin gjithashtu më të përhapura tek gratë.

Në të kundërt, problemet neurozhvillimore dhe të sjelljes – duke përfshirë ADHD, çrregullimin e sjelljes dhe autizmin – ishin më të zakonshme tek burrat.

Barra më e lartë e shëndetit mendor në nivel global u gjet tek adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç, duke theksuar nevojën për parandalim të hershëm dhe mbështetje të synuar për të rinjtë.

Çfarë po e nxit rritjen?
Raporti identifikoi disa faktorë kryesorë rreziku të lidhur me sëmundjet mendore, duke përfshirë dhunën seksuale në fëmijëri, dhunën nga partneri intim dhe ngacmimin. Këto ishin të lidhura me gjendje të tilla si skizofrenia, depresioni, çrregullimi bipolar, çrregullimet e ankthit, çrregullimi i sjelljes dhe bulimia nervore. Megjithatë, studiuesit thanë se vetëm këta faktorë nuk e shpjegojnë rritjen e rasteve. Shkalla e ekspozimit mbeti relativisht e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe përbënte vetëm 18% të Viteve të Jetës së Rregulluar për Aftësinë e Kufizuar (DALY) të çrregullimeve mendore në vitin 2023 – një masë e viteve të jetës së shëndetshme të humbura, për shkak të sëmundjes ose aftësisë së kufizuar. Autorët thanë se rezultatet e shëndetit mendor ka të ngjarë të formohen nga një përzierje më komplekse ndikimesh, duke përfshirë gjenetikën, biologjinë, varfërinë, pabarazinë në rritje dhe krizat e mëdha globale si lufta, pandemitë, fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike.

Edhe pse çrregullimet mendore kanë qenë prej kohësh një nga shkaqet kryesore të aftësisë së kufizuar në mbarë botën, raporti paralajmëron se barra globale po vazhdon të përkeqësohet.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i shërbimeve të shëndetit mendor nuk ka arritur të mbajë ritmin me kërkesën në rritje.

“Shqetësuese është se kjo rritje e barrës nuk është shoqëruar me zgjerim proporcional të shërbimeve të shëndetit mendor në nivel global”, theksojnë autorët e studimit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top