
Parlamenti, ku dominon partia e qendrës së djathtë “Tisza” e Magyar-it, votoi me 139 vota pro dhe asnjë kundër për t’ia hequr kryeministrit mbrojtjen ligjore kundër ndjekjes penale.
Magyar, i cili e ka bërë luftën kundër korrupsionit një shtyllë kryesore të qeverisjes së tij, i kishte kërkuar parlamentit të votonte pro kësaj nisme. Votimi pasoi një kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij, pasi ajo rihapi hetimet për një incident të ndodhur në qershor të vitit 2024. Dy javë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të atij viti, Magyari cili në atë kohë ishte eurodeputet – u përfshi në një konflikt me një burrë që po e filmonte në një klub nate në Budapest. Magyar ia mori telefonin burrit dhe e hodhi në lumin Danub, ku më vonë telefoni u gjet. Prokurorët i kërkuan Parlamentit Evropian të hiqte imunitetin e Magyarit pasi konstatuan se veprimet e tij plotësonin kriteret ligjore për veprën penale të vjedhjes. Megjithatë, Parlamenti e refuzoi kërkesën. Çështja u rihap pasi Magyar u largua nga Parlamenti Evropian dhe mori drejtimin e qeverisë hungareze.
Magyar, i cili më herët u kishte bërë thirrje ligjvënësve të partisë së tij të votonin pro heqjes së imunitetit të tij, tha të shtunën se e mbante mend shumë mirë atë natë dhe se do të vepronte sërish në të njëjtën mënyrë për të mbrojtur miqtë dhe të rinjtë nga ngacmimet e një “provokatori të paguar”.

“Do ta bëja sërish dhe, nëse është e nevojshme, do të përballem me pasojat,” shtoi ai. Në një postim në faqen e tij në Facebook pas votimit, Magyar shkroi: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht nëse je punëtor fabrike, deputet apo kryeministër. Ata që nuk kanë asgjë për të fshehur, nuk kanë frikë të përballen me sistemin e drejtësisë”, shtoi ai Parlamenti votoi gjithashtu për heqjen e imunitetit të Balazs Hankos, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit, dhe Miklos Sesztak-ut, ish-ministër i Zhvillimit, pas një kërkese nga Prokuroria për shkak të akuzave për korrupsion. Që të dy shërbyen në qeverinë e Viktor Orbánit, e cila u mund nga partia Tisza në zgjedhjet e përgjithshme të prillit. Vendimet do të hyjnë në fuqi vetëm pasi të jenë nënshkruar nga kryetarja e parlamentit, Ágnes Forsthoffer dhe presidenti András Baka, si dhe të jenë publikuar në gazetën zyrtare të Hungarisë.

