
Prej më shumë se një jave, Isabel Díaz Ayuso drejtuesja e qeverisë së Madridit, është përfshirë në një polemikë lidhur me një apartament luksoz në papafingo (penthouse) në lagjen Chamberí, të cilin komuniteti i Madridit e bleu për më shumë se gjashtë milionë euro.
Gjatë nëntë ditëve të fundit, qeveria e Ayusos ka ofruar shpjegime të ndryshme – siç është nevoja për zhvendosjen e zyrës së presidentes për shkak të punimeve të rinovimit në selinë e qeverisë rajonale në Puerta del Sol, apo pretendimi se Planifica Madrid, kompania që kreu transaksionin, merret me marrëveshje imobiliare “gjatë gjithë vitit”.
Megjithatë, këto justifikime kanë rezultuar të pavërteta; kompania publike ka blerë vetëm dy prona në gjashtë vitet e fundit, ndërsa punimet e rinovimit në Sol nuk janë nxjerrë në tender dhe as nuk u është caktuar një datë fillimi.
Përballë këtyre shpjegimeve të dështuara, Ayuso këmbënguli të mërkurën se çështja e apartamentit luksoz nuk kishte asnjë lidhje me të. “Nuk është në kompetencën time të kem dijeni për këtë,” deklaroi ajo, duke vënë në dukje se Planifica Madrid i raporton drejtpërdrejt Ministrit Rajonal të Presidencës,
Një ditë më vonë, García ofroi një shpjegim të ri për polemikën, duke deklaruar se “Madridit i mungon një rezidencë zyrtare për presidentin – diçka që shumë presidentë dhe ministra rajonalë e kanë”.
Ndonëse i vërtetë, ky version bie dnë kundërshtim me shpjegimet e dhëna më parë nga vetë Martín, i cili kishte këmbëngulur se apartamenti luksoz do të shërbente si zyrë e përkohshme dhe nuk e kishte përmendur kurrë përdorimin e tij si rezidencë për Ayuson.
Ideja që Madridi të adoptonte një model rezidence zyrtare u hodh fillimisht nga vetë Ayuso në vitin 2024, në mes të polemikave rreth apartamentit që i dashuri i saj, Alberto González Amador, bleu në lagjen Chamberí pikërisht kur doli lajmi se ai po hetohej për mashtrim tatimor. “Ndoshta ajo që duhet të bëjë Komuniteti i Madridit është të financojë një rezidencë zyrtare për drejtuesin e vet, në këtë mënyrë, do ta shmangnim këtë tallje të turpshme publike që po bëni”, tha Ayuso në atë kohë.
Megjithatë, rregulloret e planifikimit urban nuk lejojnë që apartamenti në papafingo (penthouse) në rrugën “General Martínez Campos” të përdoret si rezidencë zyrtare. “Një rezidencë zyrtare është një kategori ligjore specifike. Është një shërbim që ofrohet nga administrata publike për përfaqësuesin e saj më të lartë. Ajo do të ishte pronë e Komunitetit të Madridit dhe do të përfshinte kërkesa specifike, veçanërisht në lidhje me sigurinë. Në rastin më të mirë, ajo mund të shërbente si një rezidencë jo-zyrtare – pra si shtëpia e saj private,” shpjegon Antonio Giraldo, zëdhënësi i PSOE-së për Planifikimin Urban, Mjedisin dhe Lëvizshmërinë në Këshillin Bashkiak të Madridit, në një prononcim për gazetën El País.
Këshilltari shton se “një ndryshim i destinacionit të përdorimit, autorizuar nga Këshilli Bashkiak, do të ishte i ndërlikuar”, pasi do të kërkonte “modifikimin e rregulloreve për të gjithë ndërtesën dhe marrjen e pëlqimit të të gjithë fqinjëve”. Për më tepër, ai thotë se “një rezidencë zyrtare për një president rajonal, një ministër apo një diplomat nuk është një shtëpi e zakonshme. Është një rezidencë zyrtare që ofrohet nga administrata publike për t’i shërbyer përfaqësuesit të saj më të lartë. Si rrjedhojë, kjo përbën një objekt administrativ publik — pra një ‘përdorim për shërbim publik’ — dhe jo një përdorim rezidencial.”
Enrique Manzano, zëdhënës i COAM, e konsideron gjithashtu të pazbatueshëm opsionin e shndërrimit të këtij apartamenti në një rezidencë zyrtare. “Një përdorim i këtij lloji, do të ishte i krahasueshëm me ambientet e administratës publike, dhe kjo lejohet vetëm deri në katin e parë – njësoj si zyrat,” shpjegoi ai në një prononcim për El País. Duke pasur parasysh këtë situatë, penthouse-i luksoz që “Planifica Madrid” e bleu për më shumë se gjashtë milionë euro, nuk mund të shndërrohej në zyrë apo në rezidencë zyrtare për Isabel Díaz Ayuson.

