Nga data 1 maj në Shqipëri mbyllen të gjitha sportelet e administratës publike dhe çdo shërbim të nevojshëm prej saj, shqiptarët do ta marrin onlajn, përmes portalit zyrtar e-albania.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili teksa ka këmbëngulur tek nisja drastike e kësaj mënyreje të re të marrjes së dokumentacionit prej shqiptarëve, e ka cilësuar kalimin e përshkallëzuar nga sporteli në onlajn, si një hallkë që më shumë pengon se sa ndihmon procesin.
Eksperienca na ka mësuar tha Rama se këto punë bëhen me një të rënë të shpatës, se po u la për avash-avash, jo po nuk e kemi këtë, jo po nuk e kemi atë, shiko se njerëzit nuk e dinë, jo po se njerëzit nuk e kuptojnë, dhe ça prodhon kjo, prodhon hapësira ku vazhdon stresi, vazhdon edhe rrushfeti, dhe vazhdon shërbimi jo cilësor për njerëzit. Ndaj vendimi është i prerë. Në datën 30 prill nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë, edhe pse do ketë njerëz që nuk e dinë se si e qysh të mund ta marrin shërbimin, por nevoja do t’i bëjë që ta mësojnë. Mjafton të kenë një smartfon, apo të kenë akses në një smartfon të dikujt, të shkarkojnë aplikacionin e e-albanias dhe pastaj gjithçka vijon normalisht.
Nuk dihet ende se si do të përshtaten shqiptarët me këtë nismë të re të qeverisë Rama, kur shqiptarët, edhe nëse kanë smartfone, jo gjithnjë kanë internet, e nëse i kanë të dyja, teknologjia është përherë e rrëshktishme nga duart, për shkak se një komandë mund të fshijë gjithcka.
Ajo që dihet është që kreu i qeverisë Rama, qysh prej datës 27 prill kur ka bërë publik lajmin, poston postera ku informon qytetarët për ato zyra, të cilët që prej 1 majit nuk do të kenë më sportel.
EDI RAMA/ I kam kërkuar në një mbledhje përgatitore Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, që Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjithë printerat e të gjitha letrat nga zyrat e gjendjes civile, komplet dhe në zyrat e gjendjeve cilvile nuk do të ketë më as printera e as letra, në mënyrë që të mos printohen më certifikata, se është humbje kohe për njerëzit, është para për shtetin, është edhe para për njerëzit. Janë 7 milionë eruro që janë kursyer nga ato pagesat e vogla të sporteleve, për të marrë letra, vetëm për letra u janë kursyer njerëzve, dhe është e padrejtë. Të gjitha janë këtu, në celular, përfshi edhe famëkeqen hipotekë.