E enjte, 27 Gusht, 2026
Opinion

VIRTUS ET MERITUM/ Konkursi që ia dinim fituesin para se të hapej

· 7 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

NGA AQUILA

Raporti vjetor i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025, i bërë publik në pranverë të 2026-s, konstatoi 1.279 emërime në kundërshtim me ligjin nga 16.343 pozicione të monitoruara. 7% e sistemit. Rreth 1.016 raste ishin në bashki dhe 263 në institucionet qendrore. Por përqindja nuk është pjesa që të mbetet në mendje. Skema është. Komisioneri shkruan se konkurset formalisht kanë funksionuar, ndërsa në qindra raste titullarët kanë përdorur kontratën e përkohshme për t’i shmangur procedurat: dikë e fut me kontratë, e mban në detyrë sa duhet, pastaj hap një konkurs që vetëm ligjëron atë që ka ndodhur tashmë.

I njëjti raport, i përcjellë nga BIRN në prill 2026, thotë se disa gara po dështojnë për mungesë kandidatësh. Kandidati i mirë nuk humbet një ditë leje për një konkurs që e ka fituesin me letër në dorë.

Në të njëjtin raport ka një shifër që flet më shumë se të gjitha të tjerat: institucionet e pavarura nuk paraqitën asnjë shkelje. Zero. Aty ku titullari nuk varet nga cikli zgjedhor, ligji papritur zbatohet. Kur i njëjti ligj funksionon në një godinë dhe nuk funksionon në tjetrën, problemi nuk është ligji.

Dhe ana tjetër e medaljes, po nga BIRN: nëpunës të shkarkuar padrejtësisht, që e kanë fituar çështjen në gjykatë, presin me vite që shteti të zbatojë vendimin e gjykatave të veta. Disa, siç e titullonte hulumtimi, deri në vdekje. Një shtet që nuk i zbaton vendimet gjyqësore ndaj vetvetes e ka të vështirë t’u kërkojë meritë të tjerëve.

Cikli që përsëritet me çdo qeveri

Këtu dua të jem e saktë dhe jopartiake, sepse problemi nuk ka emër dhe mbiemër. Në mars 2026, Luca Uberti, Drini Imami dhe Mariapia Mendola publikuan në serinë IZA studimin “Votes for Work?”, analizën e parë ekonometrike të patronazhit në Shqipëri me të dhëna individuale. Gjetja që duhet lexuar dy herë: lista e pagave të shtetit fryhet me 5 deri 6% në tremujorin e fundit para çdo zgjedhjeje parlamentare, nga 1999 deri më 2021, në të gjashtë zgjedhjet, nën të dyja partitë, dhe bie sërish pas votimit. Duke përputhur bazën e famshme të patronazhistëve të prillit 2021 me të dhënat e pagave, të njëjtët studiues gjetën se mbështetja për partinë në pushtet rrit ndjeshëm mundësinë për punësim dhe të ardhurat, dhe se vendet e patronazhit përqendrohen te pozicionet e ulëta të sektorit publik. Pikërisht aty ku “përputhja ideologjike” nuk ka asnjë kuptim profesional.

Para zgjedhjeve vendore të 2023-shit, BIRN dokumentoi se 19 bashki shtuan 1.544 punonjës në dymbëdhjetë muajt para votimit, rreth 9% të stafit, mbi një e katërta me kontrata të përkohshme. Një punonjës bashkie në Vlorë ia shpjegoi llogarinë gazetarëve, në anonimat, pa asnjë zbukurim: nga çdo i punësuar para zgjedhjeve priteshin rreth njëzet vota. Njëzet vota për një vend pune. Ky është çmimi i tregut i meritokracisë sonë.

Që të mos duket se gjithçka ndodh vetëm në bashki: sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025, u emëruan 654 nëpunës civilë, ndërsa nga 277 pozicione drejtuese të shpallura, vetëm 13,6% u plotësuan me lëvizje paralele dhe 17,9% me ngritje në detyrë. Pra më pak se një në tre pozicione drejtuese u mbush nga karriera e brendshme. Pjesa tjetër ose mbeti bosh, ose u plotësua nga jashtë. Për një nëpunës me dhjetë vjet në sistem, shkalla e karrierës nuk ngjitet dot; mund vetëm të anashkalohet.

Ligji i ri që ende nuk është ligj

Do të më thonë: po vjen ligji i ri. Që nga 31 tetori 2025, ndryshimet në ligjin 152/2013 “Për nëpunësin civil” janë në konsultim publik. Në gusht 2026 ato mbeten projekt: Kuvendi nuk i ka miratuar, dhe Brukseli, në raportin e 4 nëntorit 2025, na ka lënë sërish te “përgatitje e moderuar”, me të njëjtin rekomandim si vitin e kaluar dhe si dy vjet më parë: rregulla merite për rekrutimin, ngritjen dhe shkarkimin, “në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivelin e lartë”. Kur i njëjti rekomandim përsëritet vit pas viti, ai nuk po na thotë më çfarë të bëjmë. Po na thotë kush jemi.

Përmbajtja e draftit më shqetëson më shumë sesa më qetëson. Një nga risitë e tij kryesore është rritja e kufirit të pranimeve nga jashtë shërbimit civil për pozicionet drejtuese, nga 20 në 50%. Në letër quhet hapje dhe fleksibilitet. Në praktikën që njoh, një derë nga ku një drejtues në dy mund të hyjë pa karrierë në sistem është pikërisht dera nga ku hyn militanti me kravatë. Fleksibiliteti pa filtra merite nuk modernizon asgjë; thjesht i jep bazë ligjore asaj që Komisioneri sot e quan shkelje.

Diella nuk ka kushërinj, por as votë

Në shtator 2025 qeveria emëroi Diellën, “ministren” virtuale të krijuar me inteligjencë artificiale për të mbikëqyrur prokurimet publike, të prezantuar si e para në botë në nivel kabineti. Argumenti ishte i thjeshtë dhe, e pranoj, i goditur: një algoritëm nuk ka miq, nuk ka kushërinj, nuk ka borxhe fushate, prandaj tenderët do të jenë pa korrupsion.

Por vini re se çfarë rrëfen ky argument. E njëjta qeveri që nuk ua beson tenderët njerëzve, sepse kanë miq, vazhdon t’ua besojë njerëzve me shumë miq punësimet në administratë. Nëse pranojmë se makina është më e paanshme se titullari te prokurimi, pse te rekrutimi vazhdojmë të mbrojmë “gjykimin” e titullarit? Diella është rrëfimi më i sinqertë që shteti ka bërë për vetveten: e dimë që sistemi ynë njerëzor korruptohet, prandaj po e heqim njeriun nga loja aty ku bën bujë ndërkombëtare, dhe po e mbajmë aty ku sjell vota.

 Çmimin e paguan ai që ikën

Meritokracia nuk është kapriço e Brukselit. Është arsyeja pse një pjesë e brezit tim po ikën. Kur më të mirët e kuptojnë se karriera varet nga “kam njeri” dhe jo nga CV-ja, ata nuk protestojnë. Bëjnë valixhen. Vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave të Eurostat-it, rreth 44 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së; 62% e tyre ishin nën 35 vjeç. Banka Botërore e lidh eksodin me pagat, dhe ka të drejtë: paga mesatare jonë mbetet më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.

 Tri gjëra, jo tridhjetë

Nuk besoj në meritokraci të pastër; nuk ekziston askund. Por midis idealit të paarritshëm dhe cinizmit që e përdor pamundësinë si alibi ka një hapësirë të gjerë, ku ne zgjedhim të mos bëjmë asgjë. Si dikush që i ka administruar këto procedura dhe sot i monitoron, po lë tri kërkesa konkrete:

1. Ligji i ri të miratohet vetëm me mekanizma që e mbyllin derën e kontratës së përkohshme si rrugë hyrjeje, dhe me hapjen nga jashtë të kushtëzuar nga testim i pavarur, jo nga një kuotë prej 50%.

2. Për çdo konkurs të publikohen numri i aplikantëve dhe pikët e të gjithë kandidatëve. Gara me një kandidat të vetëm duhet të jetë sinjal alarmi, jo normë statistikore.

3. Vendimet gjyqësore për nëpunësit e shkarkuar padrejtësisht të zbatohen brenda afatit ligjor, me përgjegjësi personale për titullarin që nuk i zbaton.

Burime: Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Raporti vjetor 2025 (përcjellë nga BIRN/Reporter.al, 9 prill 2026); Departamenti i Administratës Publike, të dhënat e vitit 2025 (Monitor, maj 2026); BIRN/Reporter.al, “Punësimet elektorale fryjnë administratën e bashkive”, 2 tetor 2023; Uberti, Imami & Mendola, “Votes for Work? Job Patronage and Electoral Mobilization in Albania”, IZA DP 18510, mars 2026; Komisioni Evropian, Raporti për Shqipërinë 2025, SWD(2025) 750, 4 nëntor 2025; projektligji për ndryshimet në ligjin 152/2013, konsultim publik nga 31 tetor 2025 (ATA); Eurostat, lejet e para të qëndrimit 2024 (sipas Monitor); Banka Botërore, “International Mobility as a Development Strategy: Albania”, 2024.*

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top