
Lodrat “Squeezy Dumplings” janë tërhequr nga kompania “Samsons Cash and Carry Ltd” me bazë në Kardif, pasi Zyra qeveritare për Sigurinë dhe Standardet e Produkteve deklaroi se ato paraqesin një rrezik “serioz” kimik, për shkak të “niveleve të tepërta të benzenit”.
Lodrat, të cilat janë prej polimeri plastik të butë dhe kanë formën e “dumpling”-ut (brumë i mbushur), të vendosura brenda enëve që ngjajnë me shporta të vogla, prodhohen në Kinë. Njoftimi për tërheqjen nga tregu thotë: “Produkti paraqet një rrezik serioz kimik, pasi shtresa e jashtme përmban një përqendrim të tepërt të benzenit (20 mg/kg). “Nëse thithet, benzeni mund të shkaktojë irritim të syve, hundës dhe fytit.”
“Ekspozimi ndaj sasive të mëdha mund të shkaktojë gjithashtu një ndjesi djegieje në të gjithë traktin tretës dhe irritim të lëkurës. Nevojiten gjithashtu përmirësime në etiketimin dhe shënimin e produktit.”

Këto lodra janë përshkruar si “trendi më i fundit viral për fëmijët”, ndërsa versionet origjinale dhe të sigurta shpërndahen nga kompania RMS/Crazy Fun.
Suksesi i tyre buron nga kombinimi i dy fenomeneve të njohura në internet: lodrave me paketim të mbyllur (ku përmbajtja zbulohet vetëm pas hapjes) dhe lodrave të buta e elastike të njohura si “squishies”. Megjithatë, thuhet se janë versionet imituese ato që mund të jenë të dëmshme. Sipas qeverisë, produkti i tërhequr nga tregu nuk i plotëson kërkesat e Rregullores për Sigurinë e Lodrave; pronarët këshillohen të ndalojnë përdorimin e tij dhe ta mbajnë atë larg mundësisë së arritjes nga fëmijët.
Pavarësisht këtyre, identifikimi i tij mund të jetë i vështirë, pasi në produkt nuk janë shënuar numra serie apo identifikues të tjerë të produktit. Benzeni përdoret si lëndë e parë për një gamë të gjerë kimikatesh që hyjnë në procese të mëdha të prodhimit industrial, duke përfshirë plastikat, shkumën, ngjyruesit, detergjentët, tretësit dhe insekticidet.
Sipas Agjencisë së Mbretërisë së Bashkuar për Shëndetin dhe Sigurinë (UKHSA), para se të njihej natyra e tij toksike, benzeni përdorej në kozmetikë, në tretës shtëpiakë dhe në procesin e heqjes së kafeinës nga kafja. Përdorimi i tij në produkte të tilla konsumi apo në procese të ngjashme nuk lejohet më. Ekspozimi afatgjatë ndaj benzenit mbart gjithashtu rrezikun e kancerit.

