
Policia e Shtetit njofton qytetarët shqiptarë të tregohen të kujdesshëm ndaj përpjekjeve për t’ju vjedhur llogaritë në WhatsApp. Në njoftimin e saj ajo shprehet se janë konstatuar raste të qarkullimit të linqeve mashtruese, që synojnë marrjen nën kontroll të whatsappit të tyre, e mandej vjedhjen e llogarive personale. Sa më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
NJOFTIM PËR QYTETARËT
Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.
Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.
Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim. Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.


Policia e Shtetit këshillon qytetarët:
- Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;
- Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;
- Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;
- Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.
Mbroni të dhënat tuaja!
Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.

