E mërkurë, 1 Korrik, 2026
Opinion

“One politician show”, forma e re e fushatës së Ramës. Nga Albana Nexhipi Lekaj

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Sot ishte dita e dytë kur kryeministri Rama shpjegoi përpara shqiptarëve një tjetër sektor të  rëndësishëm të vendit, me gjasa kalë beteje për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.

Teksa dje foli gjatë për sektorin e Drejtësisë,  duke rrëfyer punën e bërë në të  dhe vizionin për të ardhmen, sot ishte radha e Shëndetësisë të gjendej në fokusin  dhe vëmendjen e tij.

Ajo që bie në sy këto referate të gjata të kryeministrit Rama,  të cilat me gjasa do vazhdojnë edhe në ditët në vijim, është roli i trefishtë me të cilin ai  shfaqet përpara publikut/votues: si REGJISOR, PROTAGONIST e më pas si MODERATOR, i shfaqes alla ‘one politician show’. Timbri, gjestet, vështrimi, intonacioni i përdorur, mimika, ndriçimi, skena, janë të gjitha  elemente që të shpien në ndërtimin e strukturës së një shfaqjeje teatrore, e cila mesa duket, do jetë edhe modeli i fushatës së zgjedhur prej kryeministrit në vijim.

Ajo që shëmbëllen problematike në këtë pikë, është se teleshikuesi, i mahnitur nga  ligjërimi për t’u pasur zili i kryeministrit, do harrojë me gjasa motivin përse po e ndjek atë.

Mbase një element i tillë është përzgjedhur qëllimisht nga  grupi i tij i punës, por pak po e sigurt, të  paktën sipas rregullave të së Folurës në Publik, mesazhi që do t’i mbetet më së shumti publikut/votues, nuk do jetë aspak ai i politikanit që mendon dhe vret mendjen përpara barrës së stërmadhe të një tjetri mandat katër-vjeçar, por ai i politikanit që aktron në mënyrë brilante, i vetëm, në një skenë kuruar më së miri, që përpiqet ta tërheqë audiencën/votuese përmes shfaqeve karizmatike.

Sidoqoftë, risia (edhe pse e kushtëzuar nga pandemia) mbetet interesante në kontekstin e fushatave politike në Shqipëri, të cilat, deri dje, përpiqeshin të mblidhnin e të dëshmonin së më tepër ndjekës nëpër sheshet e mitingjeve, për të sugjestionuar kështu, pjesën e votuesëve të mëdyshur.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top