E premte, 29 Maj, 2026
Opinion

“Listat pa EMRA”, nga Edmond Harizaj

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Marrëveshja pa zë mes Ramës dhe Berishës, bën të mundur që të dy të shtrëngojnë dhe njëkohësisht spastrojnë rradhët e tyre. Emrat “e mbyllur” janë besnikët e vendosur e të sprovuar, emrat “e hapur” janë të pabindurit, të padëshiruarit, kush ka shkelur ndonjë dërrasë të kalbur, e kush thjesht nuk i pëlqen kryetarit.

Ka mes listave të ikur nga njëra parti, e të shfaqur si me magji në listat e një partie diametralisht të kundërt. Nuk po flasim për ide dhe ideale, por për pakëz turp. Hiç fare, as skuqje, e jo më nxirje faqesh. Ka në lista, ish drejtues të lartë të një partie, që mbajnë siglën e një tjetër partie. E dimë se çfarë quhet politika, po sadopak moral duhet ruajtur.

Më duket se është keqkuptuar dëshira e elektoratit për të rinj. Nuk është fjala për moshë të re, por për mendime të reja, për sjellje të reja, për ide të reja. Sepse të rinj servilë, puthadorë, e kryetarëdashës ka pasur përherë prej 30 vjetësh. Një deputet, nuk është thjesht një emër në listë, është EMËR. Emër publik. Që ka bërë mirë në fushën e tij, e mundësisht edhe në politikë njëherësh, për shumë vite, që njihet mirë nga publiku jo vetëm i katundit të tij, por edhe më gjerë, e pastaj merr vendime për popullin dhe populli e di se ai nuk e ngre kartonin si manekin, sepse i peshon EMRI. Sa EMRA mund të veçoni, pasi lexuat listat? Sa i pastër ka qenë maxhoritari! Në mos gaboj ishte një marrëveshje Rama-Berisha që e prishi.

(PS: Që mos flasim për primaret se bëhet qesharake dhe e turpshme situata)

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top