E mërkurë, 27 Maj, 2026
Kronikë

Vrasja e të riut nga policia: shoqëria civile protesta për dorëheqjen e ministrit Lleshaj

· 4 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

I është dhënë lamtumira për në banesën e fundit, 25 vjeçarit Klodian Rasha, vrarë më 8 dhjetor në orën 1:45 nga një efektiv i policisë. Ngjarja është ende e pa zbardhur plotësisht, dhe policia dhe familjarët e djalit japin të dhëna që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në faqen e vet zyrtare në Fejsbuk, në një deklaratë të parë, Policia e Shtetit ka njoftuar se:

Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.

Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.

Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Dhe më pas, në një tjetër deklaratë, po në faqen e vet zyrtare në Fejsbuk, Policia shton se:

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” ju informojmë se :

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia nën drejtimin e Prokurorit gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë.

Vijon puna intensive nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Sipas hetimeve të deritanishme, dëshmive të familjarëve, dhe medieve që po e ndjekin në terren çështjen, Klodiani kishte dalë për të pirë një kafe në lagje. Efektivi i policisë e ka thirrur e më pas ka goditur në drejtim të tij, duke e qëlluar në kokë e në shpatull.

Ndërkaq efektivi i policisë ka deklaruar se i është dukur sikur i riu i ka drejtuar armën, ngaqë ka qenë errësirë,  gjë që përgënjeshtrohet nga familjarët, të cilët pohojnë se rrugica kishte qenë e ndriçuar.

Po sipas gazearëve të kronikës, shpresa po mbahet tek kamerat e vëzhgimit mbi shtëpinë e të ndjerit, të cilat mund të zbulojnë më tepër mbi dinamikën e ngjarjes.

E indinjuar nga papërgjegjshmëria e efektivit të policisë, shoqëria civile ka caktuar të protestojë sot përballë Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Lleshaj.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top