Sot ekziston një bibliotekë e pasur veprash të të gjitha zhanreve: publicistikë, histori, politik, madje edhe fikcionale – libra e filma në daçi – që shtjellojnë temën e shpërbërjes së perandorisë së fundit komuniste në Europë – pas asaj të Bashkimit Sovjetik – si dhe pas luftrave të përgjakshme, gjenocidit e spastrimeve etnike, krijimit të disa shteteve të pavarura mbi gërmadhat e Federatës së dikurshme, tymi i rrënojave të së cilës ende nuk është davaritur përfundimisht.
Lypset thënë se autorët e këtyre librave, njohës nga afër të dramës jugosllave dhe studiues të pasionuar të saj, janë, më së shumti, autorë perëndimorë; kryesisht amerikanë e anglezë, por edhe italianë, francezë etj. Me analizat dhe konkluzionet e tyre këta autorë janë rrekur të shpjegojnë atë që shumëkush e ka quajtur, me të drejtë, dramën më të madhe në kontinentin europian pas Luftës së Dytë Botërore. Se sa ia kanë dalë mbanë ta shterrojnë një lëndë kaq komplekse e të koklavitur, kjo është një çështje tjetër që autori i këtyre radhëve nuk e gjykon veten të aftë për ta kryer, ndaj s’po ndalemi më gjatë në këtë pikë për trajtimin e së cilës s’na premton as vendi, as koha.
Këqyrur nga ky këndvështrim, por jo vetëm, libri i Sonja Biserkos “Hedhja në erë e Jugosllavisë” me nëntitull “Tërheqja fatale e nacionalizmit serb” – të cilin, lypset thënë, lexuesit shqiptar nuk i është dhënë ende rasti ta marrë në duar – është një insight i rrallë që, falë një lënde të pasur e analize të dorës së parë si vëzhguese e dëshmitare e ngjarjeve të fillim viteve nëntëdhjetë, por edhe të mëpasme, merr e zhbirilon simptomat dhe shfaqjet e nacionalizmit serb, rrënjët e të cilit, siç argumenton bindshëm autorja, pikasen më herët në kohë, domethënë edhe para ndryshimeve politike të pas viteve nëntëdhjetë.
Në qoftë se do ta këqyrim punën e Biserkos si një autopsi të pamëshirshme të kufomës së ish-Jugosllavisë, mund të themi pa ngurruar se anamneza që ajo i bën pacientit është kanceri i nacionalizmave në përgjithësi dhe ai i nacionalizmit serb në veçanti, si një nga format më virulente dhe agresive të shfaqura në Ballkan, por pse jo, edhe në Europë.
Tema e nacionalizmit serb është tejet e gjerë dhe duhet këqyrur nga disa kënde: historikisht, politikisht, etnikisht, kulturalisht, demografikisht, çka autorja është përpjekur ta realizojë brenda caqeve që i ka përcaktuar vetes me këtë punim. Po aq e vështirë do të ishte edhe për autorin e këtyre radhëve të shterrojë gjithë lëndën e përpunuar prej Biserkos, duke u rrekur të ofrojë një vështrim gjithëpërfshirës të çështjes në fjalë, ndaj do të ndalemi në një shfaqje, jo të vetme, por nga më domethënëset të kësaj dukurie, Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë – i cili shpesh shkon me akronimin SANU – i qershorit të vitit 1985.
Edhe pse nuk u prezantua asnjëherë formalisht si dokument zyrtar, ai i kreu funksionet për të cilat edhe u krijua të paktën në dy rrafshe themelore: së pari, rivendosi në qendër të vëmendjes në suazë federale çështjen kombëtare serbe, duke e konsideruar atë si të pazgjidhur dhe, së dyti, shërbeu – dhe u shfrytëzua, do të shtonim ne – si një platformë e përkryer për daljen në skenë të një aradhe politikanësh nacionalistë e populistë si Sllobodan Millosheviçi që bashkimin e serbëve në një shtet të vetëm etnikisht të pastër do ta shndërronin në kalin e betejës. Gjithë ç’erdhi më pas është tanimë histori!
Memorandumi i SANU-t përbëhej nga dy pjesë: 1) kriza e ekonomisë dhe e shoqërisë jugosllave dhe 2) pozita e Serbisë dhe e popujve serbë. Siç shprehet Biserko, memorandumi aktivizoi dy mite kyç të serbëve: atë të Kosovës dhe të Jasenovacit, duke nxitur kësisoj mobilizimin e tyre. Në thelbin e vet ai ripërtërinte agjendën nacionale serbe të shekujve nëntëmbëdhjetë dhe fillim shekullit të njëzetë, duke lëshuar thirrjen për “çlirimin dhe bashkimin e mbarë popullit serb dhe krijimin e një bashkësie nacionale dhe shtetërore në krejt territoret e banuara nga serbët”. Në vazhdë të analizës, autorja i kushton një vëmendje të posaçme aleatëve dhe bashkëpunëtorëve të Millosheviçit në vënien në jetë dhe realizimin e programit të tij panserb. Më konkretisht ajo ndalet te dy emra, Vuk Drashkoviçi, dhe partisë së tij, Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe dhe Vojisllav Sheshelji, themeluesi dhe udhëheqësi i Partisë Radikale Serbe. Ajo çka bie në sy te këta dy personazhe dhe protagonistë të skenës politike serbe në vitet nëntëdhjetë është ringjallja e fantazmës anakronike të çetnikëve dhe antishqiptarizmi i skajshëm, i cili, në qoftë se do të heqim një paralele historike, nga mënyra e konceptimit dhe synimi për t’u realizuar nuk i linte asgjë mangut metodave të nazizmit për çrrënjosjen dhe shfarosjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ç’është e vërteta, një pjesë të mirë të kësaj platforme do ta ndiqte e zbatonte Millosheviçi gjatë kohës së qëndrimit në pushtet, çka kulmoi me ngjarjet e vitit 1999 dhe ndërhyrjen e armatosur të NATO-s.
Por jashtë vëmendjes së autores nuk mbeten dy prej ideologëve të frymës së panserbizmit, shkrimtari Dobrica Çosiç dhe historiani Millorad Ekmeçiç, roli i tyre gjatë konfliktit në Bosnje – madje qysh më parë – dhe përpjekjet për unifikimin e serbëve në atë entitet që Millosheviçi e përkufizonte: “një popull, një shtet, një gjykatë”.
Në parantezë them se tërheq vëmendjen dhe përbën mjaft interes fakti se në Memorandumin e SANU-t has në një tezë, e cila, në një mënyrë ose një tjetër, lidhet me fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri.
Me fjalë të tjera, hartuesit e Memorandumit, ndër çështjet që përpunojnë në suazë të ruajtjes së centralizmit të shtetit dhe sistemit socialist, hedhin idenë për krijimin e një sistemi pluralist jo partiak në Jugosllavi, çka do të thotë se në vend të partive politike rolin e tyre ta luajnë organizatat e masave dhe struktura të tjera të shoqërisë.
Në këtë pikë kujtesa shkon në fund të viteve tetëdhjetë dhe fillim të nëntëdhjetës, kur ideologët e PPSH-së, në pamundësi për të mbrojtur të paprekur rolin qendror të partisë – shtet dhe, kësodore, të shmangnin pluralizmin politik në vend, hodhën në qarkullim të njëjtën tezë për zëvendësimin e pluralizmit politik me atë të organizatave të masave, tezë që, s’do mend, nuk funksionoi dhe, për fatin e zi të ideologëve të saj, pati jetë të shkurtër. Ashtu siç edhe e meritonte.
Në vazhdë të analizës për autoren nuk përbën asnjë mister fakti që një prej faktorëve të dorës së parë të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shthurrjes së rendit kushtetues ishte ushtria në krye me gjeneralët serbë, si dhe angazhimi gjithnjë e më shumë politik në luftë kundër “irredentizmit e separatizmit shqiptar dhe ustashëve kroatë”. Kjo shpuri jo vetëm në politizimin, por edhe në rreshtimin e saj, në krah të Serbisë, duke e vendosur veten nën kontrollin e udhëheqësve politikë serbë dhe largimin e tëhuajëzimin përherë e më të madh nga republikat e tjera. Nga ky këndvështrim mendoj se është me vend krahasimi dhe, për rrjedhojë, mëse realist e logjik përfundimi i mbërritur prej Biserkos, kur e krahason Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA-ja) me Ushtrinë e Kuqe të Bashkimit Sovjetik, si dhe duke i cilësuar të dyja këto si forcat më konservatore dhe reaksionare të shoqërive respektive. Kjo frymë bëri që JNA-ja të shndërrohej në një prej pengesave më serioze në krijimin e një sistemi politik shumëpartiak dhe reformimin e ekonomisë së vendit, pas rënies së Murit të Berlinit dhe proceseve të ndërmarra në krejt lindjen europiane.
Në librin e Sonja Biserkos has në një galeri të jashtëzakonshme personazhesh historikë, një pjesë e të cilëve nuk janë sot ndër të gjallët e kësaj bote, ndërkohë që krimet dhe gjëmat e tyre i gjen të ngulitura fort në memorien individuale e kolektive jo vetëm të popujve të ish-Jugosllavisë, por edhe të kontinentit europian e përtej. Ma do mendja se është krejt e panevojshme të përpilosh një listë të personazheve në fjalë, ndërkohë që emrat e përveçëm mbartin po atë ngarkesë emocionale negative dhe mllef që, pas kaq e kaq vjetësh, mbartin personazhe si Hitleri e Stalini, si dhe të tjerë të ngjashëm me ta. Ndoshta parajsa nuk ekziston, por ferri është e sigurtë që po!
Ndonëse Kosova dhe problemet e shqiptarëve janë të pranishme përgjatë gjithë librit, autorja i kushton një kapitull të plotë dhe shterrues, do të shtoja, asaj që ajo e quan “Çështja shqiptare” dhe që fare mirë mund të cilësohet edhe si historia dramatike e shqiptarëve të Kosovës në kuadër të të dyja Jugosllavive, mbretërisë tripalëshe dhe federatës socialiste.
Edhe pse kronologjia dhe dialektika e ngjarjeve janë më së shumti të njohura, autorja rindërton me skrupulozitet raportet mes shqiparëve dhe serbëve qysh nga fillimet e shteteve kombëtare në Ballkan pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe, më pas, lindjen e konsolidimin e regjimeve komuniste, për të mbërritur në shformimin e Jugosllavisë dhe luftrave që vijuan në gjirin e saj dhe që, në një mënyrë ose një tjetër, përmbyllen me ndërhyrjen e NATO-s, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës.
Përtej fakteve historike që shënuan e shoqëruan ecurinë dhe zhvillimin e gjithë këtyre proceseve, ajo që të bie në sy – dhe Biserkoja është tejet e kthjellët në këtë pikë – është sesi në asnjë rast tjetër në historinë moderne të Europës nuk ka pasur një angazhim aq total jo vetëm e thjesht të aparatit shtetëror të një vendi – duke përfshirë krejt strukturën dhe superstrukturën e tij, nga makina ushtarake për të mbërritur te kultura e mediat – por edhe të mbarë shoqërisë të prirë nga intelektualët: akademikë, historianë, shkrimtarë, ekonomistë, sa për të përmendur një pjesë syresh, në hartimin dhe zbatimin e politikave kundër një etnie të caktuar, objektivi final i të cilave ka qenë dhe mbetet zhbirja e kësaj etnie nga një truall ku, në ditë të bardha e të zeza, pjesëtarët e saj kanë jetuar ndër shekuj. Ironia është se edhe sot, pas tërë këtyre përmbysjeve e shndërrimeve epokale, shembje perandorish e ndryshimi regjimesh diktatoriale, pako gjë ka ndryshuar në raportet mes shqiptarëve e serbëve, çka bën që historia dhe e ardhmja të jenë ende peng i nacionalizmave, miteve dhe mllefeve irracionale të një të kaluare që s’do të jap shpirt. Këqyrur nga ky këndvështrim, Biserkoja dhe vepra e saj, ashtu si edhe ajo e një grushti intelektualësh të pavarur, janë vetëm një përjashtim që përforcon rregullin.
Në atë klimë histerike dhe antishqiptare, duke parë reagimin e klasës politike dhe në mënyrë të veçantë qëndrimin e partive të opozitës lidhur me përçapjet e vendeve perëndimore me SHBA-në në krye për të gjetur një zgjidhje politike lidhur me çështjen e Kosovës – këtu nuk kam parasysh vetëm atë partive nacionaliste, por edhe të atyre forcave politike që e mbanin veten ose konsideroheshin liberale e properëndimore – vëren se e ke të lehtë të heqësh një paralele me atë që ndodh edhe sot në skenën politike të Serbisë, me atë pështjellim dhe impotencë që karakterizon qëndrimet e partive të opozitës, qëndrime të cilat në rastin më të keq janë thjesht një riciklim i tezave të stërpërdorura të përfaqësuesve më në zë të nacionalizmit serb e ithtarëve të Serbisë së madhe dhe, në rastin më të mirë, në qoftë se mund të shprehemi me këtë term, janë shprehje e një vakuumi politik dhe flirti konformist me pasionet e ndrydhura të turmës.
E gjithë kjo vjen e bëhet edhe më e kuptueshme po të mbajmë parasysh faktin se opozita në mos i doli në krah Millosheviçit gjatë konfliktit në Kosovë, u pajtua në heshtje me përndjekjet ndaj shqiptarëve.
Në një kapitull më vete autorja trajton ato aspekte që prekin dukuritë e ndryshme politike e sociale që lidhen me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pas përfundimit të konfliktit, hyrjes së trupave të KFOR-it dhe tërheqjes së ushtrisë e policisë serbe në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Në këtë reliev të ri dhe në kuadër të përpjekjeve të amerikanëve e BE-së, nga njëra anë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vend dhe, nga ana tjetër, për të gjetur një zgjidhje në mos përfundimtare sa më të qëndrueshme mes dy entiteteve vjen e rikonfigurohet në një dritë të re, por jo më pak të koklavitur e problematike, çështja kosovare. Dritë-hijet dhe përthyerjet e tyre janë të shumta, por ka një aspekt që, sa herë flitet për çkoklitjen e nyjes kosovare, Biserko nuk e anashkalon, përkundrazi e shtjellon gjerë e gjatë; është fjala për tezën e ndarjes së Kosovës sipas kufijve etnikisht të pastër, tezë e hedhur qysh në vitin 1968 nga Dobrica Çosiç, e cila është rimarrë herë pas here nga përfaqësues të ndryshëm të Beogradit zyrtar, para dhe pas ngjarjeve të vitit 1999. Një prej tyre është edhe Nebojsha Çoviç, ministër në qeverinë e kryesuar prej kryeministrit liberal e demokrat Zoran Xhinxhiç, i cili, në kohën që shprehte pozitat e vendit të tij në raport me UNMIKU-n dhe KFOR-in, do të shprehej, (citoj): “të dyja palët, si shqiptarët ashtu edhe serbët, duhet të zhvishen nga iluzioni se mbarë Kosova iu përket atyre”. Në të njëjtat ujra noton edhe një tjetër demokrat, ish-ministri i Jashtëm Goran Svilanoviç, i cili shtyhet edhe një hap më tej kolegut të tij, duke iu afruar tezës së dikurshme të Çosiçit, dhe propozon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (më sak, të një pjese të saj) për t’i hapur udhë e garantuar bashkimin e Serbisë me Republika Srpska. Një formulë, sipas tij, win-win!
E pra, në fund të këtij rrugëtimi historik, politik, ekonomik e kulturor, a mund të thuhet se plagët e ish-Jugosllavisë janë tanimë mbyllur dhe se entitetet që e përbënin atë dikur e kanë gjetur veten në realitetin e ri gjeopolitik të krijuar në mijëvjeçarin e ri? Në pamje të parë duket se po: Slovenia e Kroacia anëtare të BE-së e të NATO-s; Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në NATO e kandidate për t’u anëtarësuar në BE, Bosnje-Hercegovina me të përpjetat e të tatëpjetat e veta për të pasur një shtet funksional, Kosova ende e panjohur nga pesë vende anëtare të BE-së dhe në kërkim të një vendi në OKB që ngjan ende larg, por, gjithsesi, me një orientim të qartë kah BE-ja dhe NATO-ja. Po Serbia? Ende një enigmë; me një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim, ashtu siç luhatet mes alfabetit cirilik dhe atij latin. E megjithatë, Serbia sot është vend kandidat për në BE dhe pjesëtare e Partneritetit për Paqen me NATO-n. Sidoqoftë, siç shprehet një vëzhgues i mprehtë “e reshtuar në neutralitetin e vet”, duke pasur parasysh miqtë e saj tradicionalë, Rusinë e Kinën. Ndërkohë, sikundër na kumton Biserkoja, shoqëria serbe, më sak, segmentet më të ndjeshëm të nacionalizmit të saj, janë në pritje të një klime më të volitshme ndërkombëtare (sic!), e cila, sipas tyre, do të ndreqë padrejtësitë historike dhe do të tregohet më bujare lidhur me interesat historike kombëtare, eufemizëm ky për një shtet të pastër etnikisht që, teorikisht, duhet të rrokë në gjirin e vet një të tretën e Kroacisë, dy të tretat e Bosnjes dhe një pjesë të Kosovës.
Një gjë është e sigurt: koha do ta tregojë!