Në konferencën e mbajtur me gazetarët për ekonominë, konferenca e fundit për këtë mandat elektoral, Rama u fokusua tek shërbimi dixhital në vend, duke e cilësuar atë si një prej arritjeve më të mëdha të qeverisë.
Sipas Ramës, kapërcimi i situatës së pandemisë do kishte qenë i pamundur pa arritjet e qeverisë në këtë drejtim, dhe se përparimet e bëra në shërbimet dixhitale, janë vlerësuar edhe prej një sërë organizmave të huaja, si Departamenti Amerikan i Shtetit apo Komisioni Europian.
Parafytyroni për një çast se çfarë do mund të bënim, kur na duhej të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë. Nuk do kishim mundësi t’ju shërbenim qytetarëve, me këtë nevojë për të mos dalë nga shtëpia. Imagjinoni sikur kjo fatkeqësi e madhe të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1 përqind të shërbimeve onlajn, dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve, ndërkohë që sot, nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion, kemi 1027 shërbime, dhe nga 50 mijë përdorues, kemi 1.87 milion të tillë. Nga 51 mijë aplikime, për shërbime onlajn në vitin 2013, sot në 2021-in kemi 7.7. milionë. Nëse në vitin 2013 kishte vetëm gjashtë regjistra elektronikë, me total 630 mijë transaksione, sot ka 55 databaza që shkëmbejnë informacion në kohë reale, me 145 milionë transaksione, pra me një numër ndërveprimesh onlajn, të rritur 211 herë.
Pa këtë revolucion, qytetarët shqiptarë do kishin konsumuar 472 vjet pritje nëpër radha. Vetëm gjatë pandemisë janë shërbyer 1.2 milionë subjekte, janë kursyer veç të tjerave 293 vite priteje dhe, në total, u janë kursyer të tërëve përmes shërbimeve onlajn, 4 milionë euro, që do kishin shkuar vetëm për ato tarifat minimale, por prapë tarifa, për dokumenta, në radhë, pa llogaritur kursimet e bakshisheve e rryshfeteve, që ky sistem i asgjëson komplet, për ato shërbime që ne kryejmë.
Duke theksuar rëndësinë e tij në luftën ndaj korrupsionit, Rama theksoi se shërbimet dixhitale janë një ndihmë e madhe si, për njerëzit, ashtu edhe për bashkëpunimin e saj me qeverinë.
Sot shqipëria ka 95% të shërbimeve onlajn, pra për 95% të shërbimeve që ofron shetei për qytetarët, qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, nuk kanë nevojë të takojnë asnjë lloj personi, të bëjnë asnjë hap nga vendi ku janë, nëse kanë me vete smartfonin e tyre, apo duhet lëvizin drejt kompjuterit më të afërt në dhomën tjetër.
Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për transparencë dhe eficencë me fushatën e vaksinimit, dhe ndërkohë që përgatitemi për të disponuar sasi të konsiderueshme vaksinash, që do të kërkojnë një intensitetë të lartë vaksinimi, disponojmë një farë revolucioni dixhital, një sistem që garanton plotësisht transparencë dhe eficencë, dhe kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit, duke u parapërgatitur edhe për mundësinë që vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët.
Kini parasysh që revolucioni dixhital nuk është një fakt për të cilin flas unë apo për të cilin flasim ne, por është një fakt për të cilin Shqipëria është vlerësuar shumë lart nga raportet më prestigjoze ndërkombëtare, duke filluar që nga organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, që e quan Shqipërinë të vetmin vend në rajon që plotëson standartin për listat elektronike dhe statistikat që lidhen me qeverisjen, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian që vlerësojnë progresin e Shqipërisë në axhendën e revolucionit dixhital, duke theksuar se kjo ndikon në vijimësinë e luftës kundër korrupsionit. […] Përmes transformimeve të shërbimeve dixhitale, platforma e-albania është kthyer në një histori suksesi dhe s’diskutohet që është sot një instrument shumë efikas në duart e gjithë atyre qytetarëve që e përdorin.