Thuajse në të njëjtën kohë, kur përpara Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë dyndeshin protestuesit, që protestonin për vrasjen e të riut Rasha nga efektivi i policisë, kryeministri Edi Rama njofton në fejsbuk se takimi me drejtuesin e Pfizer-it, Albert Bourla-n, për sigurimin e vaksinës, kishte rezultuar pozitiv.
Takimi pozitiv me bosin e Pfizer, Albert Bourla, shkruan ai, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse.Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim,pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!
Nuk dihet nëse kryeministri është në dijeni të situatës së krijuar në vend nga vrasja e 25 vjeçarit Rasha prej efektivit të policisë, se nuk është prononcuar ende. Ajo që shihet, është se protestuesit, të indinjuar nga mungesa e reagimit ndaj kërkesave të tyre, vazhdojnë të qëllojnë mbi institucionet shtetërore.