Ajo nuk qe e sëmurë terminale, por zgjodhi eutanazinë, duke i hapur udhë një debati sa njerêzor, aq edhe fetar. Noellia Castillo, quhet 25 vjeçarja që i dha fund jetës përmes eutanazisë, për shkak se po rronte një jetë të dhimbshme. Pas kërkesës për eutanazi në 2004-n, vendimi i saj u zbatua këtë të enjte, pas thuajsr 20 muajve debat.
“Dua të iki në paqe dhe të ndaloj së vuajturi, pikë,” tha Castillo disa ditë para vdekjes së saj, në një intervistë në kanalin spanjoll të lajmeve Antena 3. Çështja e saj shkaktoi debat të ashpër në Spanjë, veçanërisht pasi intervista u transmetua – si midis atyre që mbështetën vendimin e saj, ashtu edhe midis atyre që i dërguan mesazhe në mediat sociale duke e nxitur të mos zgjidhte eutanazinë.
Në intervistë, Castillo shpjegoi se vendimi i saj qe i rrënjosur në një jetë të trazuar familjare, pas ndarjes së prindërve të saj kur ishte 13 vjeç. Castillo kaloi kohë në një qendër kujdesi të mbikëqyrur dhe u diagnostikua me Çrregullim Obsesiv-Kompulsiv dhe Çrregullim të Personalitetit Kufitar. Ajo gjithashtu i tregoi intervistuesit të saj tre episode abuzimi seksual: një që dyshohet se është kryer nga një ish-partner, një tjetër në një klub nate ku ajo tha se dy burra e përdhunuan dhe një i tretë në një bar ku qenë përfshirë tre të rinj. Ajo tha se nuk i raportoi kurrë asnjë prej tyre.
Disa ditë pas episodit të dytë, në tetor 2022, ajo u përpoq të vetëvritej. Ajo i mbijetoi përpjekjes, por mbeti paraplegjike lidhur pas një karroce me rrota. Kjo u bë pika që e çoi atë të merrte në konsideratë eutanazinë. “Të fjeturit është shumë i vështirë për mua, dhe përveç kësaj, kam dhimbje shpine dhe këmbësh,” deklaronte Castillo. Por ajo theksoi gjithashtu, se vuajtja nuk ishte vetëm fizike. Para se të kërkonte eutanazinë, “Bota ime ishte shumë e errët… Nuk kisha qëllime, as objektiva, asgjë,” tha ajo.
Eutanazia e saj u krye në spitalin Sant Pere de Ribes ku ajo qe shtruar. Një udhëtim i gjatë ligjor. Vetëvrasja e asistuar është e ligjshme në Spanjë që nga qershori i vitit 2021. Për Castillon, aplikimi për të ishte vetëm fillimi i një udhëtimi kompleks, kryesisht sepse familja e saj e kundërshtoi atë.
Kërkesa e saj qe miratuar më 18 korrik 2024 nga Komisioni i Garancisë dhe Vlerësimit të Katalonjës. Komisioni zbuloi se ajo i plotësonte të gjitha kërkesat ligjore, pasi kishte një “situatë klinike të pakthyeshme”, duke shkaktuar “varësi të rëndë, dhimbje dhe vuajtje kronike, paaftësuese”. E gjithë kjo e pengonte atë të jetonte në mënyrë autonome dhe ndikoi negativisht në jetën e saj të përditshme.
Por në gusht të po atij viti, babai i saj – i këshilluar nga grupi ultrakonservator fetar Christian Lawyers – filloi një betejë ligjore për të ndaluar procesin, duke argumentuar se ajo ishte e paaftë ta merrte një vendim të tillë. “Ai nuk e ka respektuar vendimin tim dhe nuk do ta respektojë kurrë”, tha Castillo për të atin.
Që nga ajo kohë, babai i saj nisi një proces të gjatë ligjor që vonoi eutanazinë e Noelias për 20 muaj, duke kaluar nëpër pesë nivele gjyqësore: një gjykatë e Barcelonës, Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Katalonjës, Gjykata Supreme, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Asnjë nga këto organe nuk e kundërshtoi vendimin e gruas së re. Të gjitha zbuluan se ajo i plotësonte kërkesat dhe ishte e aftë të vendoste të vdiste. “E kuptoj që ai është baba, dhe nuk dëshiron të humbasë vajzën”, reflektoi Castillo në intervistën e saj. Ajo shtoi se ndihej e hutuar, sepse nuk kishte ndonjë marrëdhënie të ngushtë me të. “Ai më injoron. Atëherë pse më do gjallë? Për të më mbajtur në spital?”, u shpreh ajo.
Beteja që bëri Castillo i mundësoi asaj të zbatonte vendimin që mori. Më në fund e bëra dhe tani ndoshta mund të pushoj”, i tha ajo gazetares së Antena 3. “Nuk mund ta duroj më këtë familje, nuk mund ta duroj më dhimbjen, nuk mund ta duroj gjithçka që më mundon në kokën time.” Castillo i tha lamtumirë familjes së saj dhe kërkoi që në momentet e fundit, ta linin të qetë. “Nuk dua askënd brenda dhomës sime”, tha ajo. “Nuk dua që ata të më shohin duke mbyllur sytë.”




























