
Kreu i Shoqatës së Turizmit ka bërë me dije se sezoni turistik në Shqipëri po karakterizohet nga disa problematika, edhe infrastrukturore. “Konstatim:”, shkruan ai, “Gjatë dy muajve të fundit kam përshkuar gati të gjitha akset rrugore të Shqipërisë. Thuajse të gjitha rrugët, në kulmin e sezonit turistik, janë të pavijëzuara dhe pa sinjalistikën minimale horizontale!
Një vend që pret një fluks turistësh sa 6-fishi i popullsisë, ku rreth 66.3% e tyre hyjnë përmes kufijve tokësorë me automjetet e tyre, nuk është thjesht një mungesë estetike, është rrezik për jetën. Mjafton të kalosh kufirin me Malin e Zi, Greqinë apo Kroacinë për të parë ndryshimin e madh: rrugë të mirëmbajtura, sinjalistikë e qartë dhe vijëzim.
Pasojat dihen. Rritje e rrezikut për aksidente (sidomos gjatë natës apo me reshje) dhe dalja jashtë funksionit e sistemeve moderne të sigurisë të mjeteve të reja të pajisura me Lane Assist (Sistemi i Ndihmës për Mbajtjen e Korsisë ).
Kaosi me sinjalistikën vertikale është më absurd. Tabelat e kufizimit të shpejtësisë janë çdo 200–300 metra, me ndryshime drastike e pa asnjë kriter teknik? Ato vendosen shpesh si “zgjidhje” artificiale sepse nuk janë zbatuar standardet inxhinierike në hyrje-daljet e rrugëve dytësore.
Vendosja e kamerave inteligjente dhe monitorimi me dronë të akseve rrugore, janë hapa pozitivë drejt modernizimit. Por shteti duhet të plotësojë më parë detyrimet e tij standarde përpara se të kërkojë penalizimin dhe gjobitjen e drejtuesve të mjeteve përmes teknologjisë

