Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” i botuar në Fletoren Zyrtare më 2 Maj do të përfshijë edhe konceptin e taksimit për dhuratat në të holla dhe të trashëgimisë të pasurisë të paluajtshme me normë 15%.
Nga taksimi 15% do të vijojnë të përjashtohen dhurimet dhe trashëgimitë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme te trashëgimtarët e radhës së parë dhe të dytë. Ndërsa pasuritë e paluajtshme e trashëguara apo dhuruara te trashëgimtarët përtej radhës së parë dhe të dytë të përcaktuara në Kodin Civil, nuk do të tatohen deri në vlerën 5 mln lekë. Nga tatimi për trashëgiminë apo dhurimi do të përjashtohen edhe pasuritë e luajtshme me vlerë deri në 1 ml lekë.
Ndërsa të ardhurat nga lojërat e fatit që aktualisht taksohen me 15% do të vazhdojnë të taksohen me të njëjtën normë.
Ekspertët fiskalë dhe të kontabilitetit theskojnë se ligji i ri do të vazhdojë të përjashtojë nga tatimi gjithë trashëgimtarët që përfshijnë nenet 360-363 te Kodit Civil.
Sipas tyre ligji i ri sjell më të detajuar menyrën e taksimit për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të trashëguara, ndërsa përfshin për herë të parë konceptin e mosvendosjes së tatimit për dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara të rradhës së parë dhe të dytë, për prona me vlerë deri në 5 mln lekë për tatimpagues dhe deri në 1 mln lekë për pasuritë e luajtshme.
Për kontabilistët vendosja e tatimit me fashë te pasuritë, pas brezit të parë dhe të dytë të trashëgimtarëve është një praktikë që ndiqet edhe nga disa vende europiane.
Ligji hyn në fuqi 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare, ndërsa i shtrin efekektet nga 1 janari 2024.
Sakaq me ligjin e ri nga 1 qershori 2023 hyn në fuqi rritja e pragut të patatueshëm të të ardhurave për individët nga 40 mijë lekë që është në 50 mijë lekë. Gjithashtu barra fiskale lehtësohet edhe për të gjithë tatimpaguesit me të ardhura nga punësimi në fashën nga 50-60 mijë lekë, të cilëve nga 30 mijë lekë që ishte e ardhura e tatueshme me 0%, tashmë u njihet një zbritje tatimore prej 35 mijë lekësh në muaj. /D.Azo
Neni 60 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”
Tatimi i trashëgimisë, dhuratave dhe fitimeve nga lojërat e fatit
Trashëgimia në zbatim të këtij neni përfshin pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre, pasi janë zbritur detyrimet e trashëgueshme.
Përjashtohen nga tatimi:
a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë (Neni 360 Kodi Civil) dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;
b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5 000 000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme dhe deri në 1 000 000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues;
c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil,
përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.
KODI CIVIL
Neni 360
Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti.
Neni 361
Në radhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.
Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim.
Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.
Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.
Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit. Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.
Neni 362
Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.
Neni 363
Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij. / MONITOR